Kryeministri Albin Kurti ka thënë se do t’u drejtohet mediave pas takimit, ndonëse nuk ka treguar për cilin takim e kishte fjalën.
Kurti fillimisht në orën 10:30 pritet të takohet me Borrellin e Lajçakun, pas të cilit do të zhvillohet takimi Kurti-Vuçiq-Borrell e Lajçak.
09:19 – Kurti pret rezultate pozitive nga takimi me Vuçiqin
Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga sigurimi, është nisur nga hoteli ku ka fjetur mbrëmë, Inex Oglica, drejt shtëpizave shtetërore, ku edhe pritet të nisin takimet mes dy delegacioneve, Kosovë-Serbi.
Ai është pyetur nga gazetari i Klankosova.tv nëse ka pushuar para takimit dhe nëse pret ndonjë rezultat pozitiv nga takimi.
Kryeministri i është përgjigjur pozitivisht për pushim, dhe ka thënë se pret rezultate pozitive nga takimi.
08:55 – Kontrolle të rrepta policore në rrugën drejt hotelit të takimit
Në këto momente, rruga që të çon drejt hotelit Inex Oglica në Ohër, ku pritet të zhvillohet takimi Kurti-Vuçiq-Borrell, është e ngarkuar.
Arsyeja e ngarkesës janë kontrollet e rrepta të sigurisë për çdo veturë a person që mësynë këtë zonë.
Kontrolle policore në Ohër, në rrugën drejt hotelit të takimit Kosovë-Serbi. Foto: Klankosova.tv
Mbledhja e delegacioneve do të nisë në orën 10:00, kurse takimet bilaterale do të nisin nga ora 10:30.
Me të prëfunduar takimet dypalëshe do të pasojë takimi i përbashkët trilateral, pas së cilit do të ketë edhe konferencë për media.
Koha e saktë e takimit të përbashkët dhe e konferencës nuk dihet, pasi gjithçka varet nga kohëzgjatja e takimeve të para bilaterale. /Klankosova.tv
Sot mbahet takimi i Kurtit e Vuçiqit në Ohër
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot do të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në përpjekje për të arritur akordim për aneksin e planit evropian.
Josep Borrell, Miroslav Lajçak, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri Albin Kurti. Foto: BE
Të dy, fillimisht do të kenë takime bilaterale me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell dhe emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak dhe pastaj pritet takimi trilateral, Kosovë-Serbi-BE.
Pas këtyre takimeve Borrelli pritet të mbajë një konferencë për media, njofton Klankosova.tv
Aneksi parasheh planin e zbatimit të propozimit evropian. Në këtë aneks, si Kosova ashtu edhe Serbia i kanë dhënë propozimet e tyre, për të cilat sot do të diskutojnë.