Biseda seksiste për të miturën e zhdukur, pezullohet për 30 ditë Shefi i Komisariatit nr. 1 në Tiranë

Pas publikimit të bisedës seksiste për të miturën e zhdukur, policia pezullon për 30 ditë shefin e Komisariatit.

Pezullimi erdhi pasi zhdukja e një vajze të mitur pa lënë gjurmë, bëri që nëpër komunikime nëpër grupe “WhatsApp”-i efektivët të përdoronin gjuhë fyese dhe denigruese për 16-vjeçaren. Mesazhet, u publikuan në media, ndërsa sot, AMP ka nisur hetimin disiplinor ndaj 3 punonjësve të policisë.

Reagim i Policisë së Shtetit
Në lidhje me një postim në rrjetet sociale, në të cilin pasqyrohet komunikimi joetik në një grup komunikimi në platformën WhatsApp, midis disa punonjësve të Policisë të Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë, ju bëjmë me dije se:

Menjëherë pas marrjes dijeni, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka pezulluar nga detyra, për një periudhë 30-ditore, Shefin për Krimet në Komisariatin e Policisë Nr. 1, në DVP Tiranë, Komisar R. D., për shkelje të rëndë disiplinore, të parashikuar nga neni 204 i rregullores së Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e AMP-së, vijon punën për kryerjen e një hetimi të plotë administrativ për këtë rast.

Policia e Shtetit është e vendosur për të ndëshkuar cilindo punonjës policie që cenon imazhin e Policisë dhe besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit.

Pjesë nga biseda për të miturën:

R.: Kjo vajzë është larguar nga banesa. Të shoqërohet në komisariatin më të afërt.

Ina: Çfarë viti prodhimi është shef?

R.: Vit i fundit duket.

P.: Shikoje Ina, nga prapakolpi.

Ina: Si urdhëron shefi, fshati që duket s’ka nevojë për kallauz.