Ibrahimovic një legjendë, rikthehet në kombëtaren e Suedisë në moshën 41-vjeçare

Zlatan Ibrahimovic rikthehet në kombëtare. Pas deklaratave të bëra ditët e fundit, sot trajneri i Suedisë, Janne Andersson zyrtarizoi vendimin e tij dhe thirri sulmuesin e Milanit për ndeshjet e radhës kundër Belgjikës dhe Azerbajxhanit, të vlefshme për kualifikueset e Euro 2024.

41-vjeçari u rikthye në fushë me kuqezinjtë disa javë pas rikuperimit të tij të gjatë pas operacionit në gju verën e kaluar. Paraqitja e tij e fundit me fanellën suedeze daton më 29 mars 2022, një ndeshje kundër Polonisë.

Ibrahimoviç ka 121 paraqitje për Suedinë me 62 gola të shënuar. Ditët e fundit Andersson, trajneri suedezm e kishte parashikuar vendimin.

“Nëse Zlatan është në formë dhe i shëndetshëm, mendoj se ai mund të japë ende shumë edhe nëse nuk mund të fillojë si titullar. Për shkak të personalitetit të tij, përkushtimit dhe udhëheqjes së tij, ai mund të jetë tepër i dobishëm.”

Andersson sheh për Ibrahimovic një rol të ngjashëm me atë që ka mbajtur vitet e fundit te Milani, sigurisht jo si një lojtar i pazëvendësueshëm, por si një udhërrëfyes në dhomat e zhveshjes dhe një burim frymëzimi për lojtarët e rinj.