Margaret Lake, e njohur si Mystic Meg (Mistikja Meg), ka vdekur në moshën 80-vjeçare.
Astrologja ka shkruar horoskopin e përditshëm për gazetën The Sun për gati 23 vjet. Gazeta raportoi se ajo u shtrua në spital në Londër, muajin e kaluar pasi vuante nga gripi. Ajo vdiq në orën 3:45 të mëngjesit të së enjtes.
Meg mori vëmendje të madhe pasi parashikoi saktë se ekipi i Manchester United do të humbiste ndaj Evertonit në finalen e FA Cup në 1995.
“Pa asnjë diskutim, ajo ishte astrologja më e famshme e Britanisë. Askush nuk iu afrua Meg në këtë drejtim. Ajo u ndoq nga miliona në këtë vend dhe gjithashtu në mbarë botën”, tha Dave Shapland, agjenti i saj prej 34 vitesh.
“Ky është një lajm shkatërrues. Kemi humbur një ikonë. Meg-ja jonë e shkëlqyer dhe e pakrahasueshme ishte sinonim i The Sun – ajo ishte një legjendë totale. Ne e donim atë dhe po ashtu edhe lexuesit tanë”, tha Victoria Newton, redaktore e The Sun.
“Ajo ishte një profesioniste e vërtetë, udhëzimet e së cilës i ndihmonin lexuesit tanë çdo ditë. Një nga kujtimet e mia të preferuara të Meg-ut është kur të gjitha Spice Girls erdhën në zyrë. Ne planifikuam një turne për ta, por gjithçka që ata donin të bënin ishte të takonin Mystic Meg”, shtoi ajo.
“Ju e dini se jeni një ikonë e vërtetë kur i vetmi person për të cilin Victoria Beckham interesohet jeni ju”, tregon redaktorja.
Mystic Meg lindi më 27 korrik 1942 në Accrington, Lancashire. Ajo mori një diplomë mësuesi nga Universiteti i Leeds. Por ajo nuk shkoi në mësimdhënie dhe në vend të kësaj punoi si nënredaktor në një revistë për gratë. Përpara se të arrinte kulmin e famës së saj, ajo shkroi histori erotike dhe punoi si gazetare në revistën News Of The World tashmë të zhdukur.
Ajo u bë një emër i njohur kur filloi të lexonte horoskopin e saj në linjën telefonike në 1989.
Ajo ishte gjithashtu një pjesëmarrëse në shfaqjen televizive të Lotarisë Kombëtare në vitet 1990, kur ajo do të dilte në skenë dhe me topin e saj të kristaltë për të parashikuar se kush do të fitonte xhekpotin javor.