Kurti takon mësuesin me të cilin ishin bashkë në burgjet e Serbisë

Kryeministri Albin Kurti, ka vizituar sot mësuesin nga Baksi i Skenderajt, Osman Jakupin dhe Aferditën, vajzën e mësueses së tij, Nafije Dobruna-Deva.

Kurti ka thënë se me mësuesin Osman ishin bashkë në burgjet e Serbisë, ndërsa ka rrëfyer për vuajtjet që i ka kaluar mësuesi gjatë asaj periudhe, ndërsa në luftë i ka humbur katër anëtarë të familjes, transmeton Zeri.info.

“Me mësuesin Osman Jakupi nga Baksi ishim bashkë në burgjet e Serbisë. Ai ishte i plagosur e i burgosur, i malltretuar edhe në spital përveçse i torturuar në burg. Katër anëtarë të familjes i ka të vrarë gjatë luftës, e vetë mësues me ditar në dorë për 45 vjet e 5 muaj”, ka shkruar Kurti.

Ai tha se të dy i ka takuar me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit.

“Ndërkaq Afërdita është vajza e vetme e mësueses sime Nafije Dobruna-Deva. Kur unë isha nxënës i fillores Afërdita ishte studente e Matematikës, pastaj ajo u bë profesoreshë në Gjimnaz e mandej Asistente në Fakultet të Ndërtimtarisë, në lëndët Matematikë I, II dhe III. Sot, më 7 Mars, i takova për t’ua uruar Ditën e Mësuesit”, ka shkruar Kurti.