22 të vdekur në koncertin e Ariana Grandes, publikohet hetimi pas 6 vitesh: Mund të ishte parandaluar

Agjencia e brendshme e inteligjencës britanike mund të kishte ndihmuar në parandalimin e një sulmi të vitit 2017, ku u vrau 22 persona në një koncert të Ariana Grande. Këtë e konfirmoi një hetim i publikuar ditën e enjte, ku thuhej që agjencia nuk veproi në kohën e duhur.

Gjykatësi John Saunders, i cili drejtoi hetimin për sulmin në Manchester Arena, tha se dështimi i MI5 për të vepruar me shpejtësi çoi në “këtë mundësi të humbur të rëndësishme”.

Sulmuesi, 22-vjeçari Salman Abedi, shpërtheu një bombë në hollin e arenës në fund të koncertit ndërsa fansat u larguan nga shfaqja më 22 maj 2017. Më shumë se 100 persona u plagosën, mes tyre fëmijë dhe të rinj.

Pas bombardimeve, turneu i Ariana Grandes u pezullua deri në fillim të qershorit. Në një letër drejtuar fansave, Grande u zotua të kthehej në Mançester dhe shkroi se do të mendojë për njerëzit e prekur nga kjo tragjedi “për pjesën tjetër të jetës sime”.

Saunders tha se MI5 mund të kishte vepruar sipas inteligjencës së saj duke ndaluar Abedin në aeroportin e Mançesterit kur ai u kthye nga Libia katër ditë para sulmit, si dhe mundësi të tjera./abcnews.al