Atletikë: Drita Islami dhe Dario Ivanovski përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut në Evropianin në salla të mbyllura
Kampionati Evropian i Atletikës në salla të mbyllura që filluar sot dhe do të zgjati deri më 5 mars në arenën “Atakoy” në Stamboll të Turqisë, ku marrin pjesë pjesë mbi 600 atletë nga 51 vende evropiane . Maqedonia e Veriut në këtë kampionat Evropian do të prezantohet me dy atletët aktualisht më të mirë në vend nga të cilët priten rezultate të mira garuesit aktualisht më të të mirë në vendin tonë Dario Ivanovski në disiplinën 3000 metra dhe Drita Islami, në 400 metra. Para nisjes për në Turqi, atletja Drita Islami për Klan Maqedoni deklaroi se është maksimalisht e përgatitur.
Drita sa jeni e përgatitur për kampionatin Evropian të atletikës në salla të mbyllura që mbahet në Stamboll të Turqisë?
Drita Islami: “Realisht jam shumë e përgatitur, duke pasur parasysh se para dy jave theva rekordin po në këtë disiplinë në 400 metra, rekordin në salla të mbyllura, që po ashtu e mbaja unë nga viti 2020 kur e shënova për herë të parë. Fillimisht ky rekord ka qenë 40 vite i vjetër, pastaj e theva në vitin 2020, pastaj vijoi ajo koha e pandemisë dhe nuk lejoheshin garat në salla të mbyllura, kështu që mu deshën tre vite të rikthehem dhe ta përmirësoj përsëri këtë rekord. E përmirësova për herë të parë në Sofie në Bullgari, pastaj në javën e ardhshme e përmirësova në Budapest, ku isha në një miting të hapur dhe për momentin rekordi është 55 sekonda e 84 të qindtat”.
A mendoni që edhe në Stamboll mund të shënoni rekordin të ri në 400 metra ?
Drita Islami: Realisht po, besoj që do mundem ta përmirësoj ende rekordin në Stamboll duke pasur parasysh që salla është e ndërtuar me standarde shumë të larta dhe është sallë shumë shumë e mirë, duke pas parasysh që aty është mbajtur edhe Kampionati Botëror edhe kampionate evropiane, është sallë që i plotëson të gjitha kushtet, kështu që mendoj që nuk do të ketë ndonjë problem nga ajo ana teknike por do të ngelet nga unë që të shënoj, realisht e dua atë sallë, kam vrapuar edhe më herët, kështu që besoj do mundem ta përmirësoj aty rekordin.
Sa keni njohuri për konkurrentet tuaja në kampionatin Evropian?
Drita Islami: E kam parë listën startuese dhe realisht është një konkurrencë shumë e fortë, duke mos harruar Fenke Boll që para një jave e theu edhe rekordin e botës në salla të mbyllura, rekord shumë shumë i fortë, mbi 40 vite i vjetër i cili është 49 sekonda, kështu që konkurrenca është shumë e fortë, mirëpo unë në çdo garë e kam misionin tim e di për çfarë shkoj, kështu që e kam qëllimin tim, dhe këtë herë qëllimi im do të jetë që të vrapoj 54 sekonda, do me thënë poshtë 55 sekondit. Për mua vlen të ceket se kjo disiplinë që vrapoj 400 metra nuk është disiplina ime primare, e imja është 400 metra me pengesa, mirëpo në salla të mbyllura nuk ka pengesa kështu që detyrohem të vrapoj 400 metra, kështu që e shfrytëzoj rastin ta shfrytëzoj këtë garë dhe sezonin e dimrit për të pasur një përgatitje më të fortë për verën, për sezonin veror që fillojnë garat në muajin prill-maj.
A shpresoni në medalje ?
Drita Islami: Jo, të jem e sinqertë jo, është shumë e vështirë të hysh në grupin e medaljeve. Po siç e ceka në këtë kampionat Evropian dua ta bëj më shpejtë se 55 sekonda, është qëllimi im, edhe të jem e përgatitur për 54 sekonda, kështu që do të shohim. Ndërsa sa i përket sezonit veror fokusi im do të jetë në disiplinën 400 metra me pengesa, gjithashtu do të tentoj edhe rekordin në 400 metra pa pengesa ta thyej, është rekord diku 40 vite i vjetër, e mban po ashtu Elizabeta Bozhinovska, një atlete shumë shumë e mirë, një ndër atletet më të mira në historinë e Maqedonisë. Për mua këto do të jenë qëllimet kryesore, tejkalimi i rekordeve në 400 metra me pengesa dhe në 400 metra, dhe pastaj ngelin kampionatet ballkanike, Kupa e Evropës që mbahet në Poloni, dhe Kampionati Botëror që mbahet në Budapest.
Cila është porosia e atletes Drita Islami për për sportistet e reja?
Drita Islami: Unë gjithmonë them që të vazhdojnë të merren me sport, të punojnë fort për rezultate sepse asgjë nuk arrihet lehtë, edhe unë nuk kam arritur shpejtë, unë kam 15 vite që merrem me sportin e atletikës edhe unë iu kisha dhënë një mesazh edhe apel që të merren me sport me atletikë edhe pas moshës 17 vjeçare, sepse ne pikërisht në atë moshë humbim atletë kur fillojnë të regjistrohen në fakultete edhe të gjithë largohen. Rezultatet e mia më të mëdha kanë ardhur pasi i kam filluar studimet dhe kur kam mbaru studimet, kështu që është shumë herët të largohen në atë moshë dhe iu apeloj që të merren me sport sa më gjatë, sepse rezultatet vijnë atëherë kur nuk e pret.