Kurti sot raporton në kuvend mbi Planin Evropian e dialogun, miratohet kërkesa e opozitës

Kryeministri raporton sot para deputetëve për dialogun, miratohet kërkesa e opozitës

Kuvendi i Kosovës me shumicë dërmuese mbi 80 deputetë, kanë miratuar mocionin e propozuar nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, mbështetur tutje edhe nga opozita parlamentare, që kryeministri Albin Kurti të raportojë mbi çështjen e dialogut.

Seanca u vendos që të nis nga ora 13.oo, ku kryeministri Albin Kurti, pritet të raportojë për takimin e tij të fundit në Bruksel, specifikisht për propozimin evropian, marrëveshje e cila verbalisht u tha se u miratua mes Kosovës dhe Serbisë, transmeton klankosova.tv.

Shumë zhurmë në kuvend, Abdixhiku i kërkon urgjent Kurtit raportim për dialogun

Mes tensionesh dhe zhurmash nga deputetët, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar sot që kryeministri Albin Kurti të raportojë në Kuvendin e Kosovës, mbi procesin dialogues që pati së fundi.

Kjo sipas tij, specifikisht, për marrëveshjen e propozimit evropian, ku theks të veçantë, Abdixhiku i dha pikës 7, transmeton klankosova.tv.

”Propozoj mocion procedural që si pikë e parë e rendit të në seancën e sotme të kuvendit, të ndodhë raportimi i kryeministrit të Kosovës pas procesit dialogues konform rezolutave dhe konform kohës”.

Kusari-Lila e quan ”të paqëndrueshme” kërkesën e Abdixhikut për raportim të Kurtit

Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, e ka cilësuar të paqëndrueshëm kërkesën e LDK-së dhe PDK-së, që kryeministri Kurti të raportojë mbi çështjen e marrëveshjes së propozimit evropian.

‘’Një debat i tillë për dialogun, është i paqëndrueshëm si mocion’’, u shpreh ajo para deputetëve, transmeton klankosova.tv.

Krasniqi i kërkon Kurtit raportim: Prezenca e kryeministrit sot, e domosdoshme

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, po ashtu e ka mbështetur kërkesën e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, që kryeministri Albin Kurti të raportojë në kuvend mbi marrëveshjen e propozimit evropian.

Sipas tij, kjo është një çështje tejet e rëndësishme për të cilën kryeministri Kurti nuk duhet t’i ikë përgjegjësisë, transmeton klankosova.tv.

”Nuk e kuptoj çfarë pune më të rëndësishme ka sot kryeministri, sesa me ardhë e me u deklaru para qytetarëve, për një marrëveshje të cilën thotë se e ka miratu pa e sjell në kuvend”.

”Ajo marrëveshje nuk mund të hyjë në fuqi pa u sjell në kuvend për ratifikim”.

”Ky proces ka degraduar në një marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër. Për t’ju adresuar mocionit që u bë, ne absolutisht mbështesim kërkesën për debat”.

”I kemi dy mundësi, ta vazhdojmë debatin e mëparshëm të ndërprerë ose të nisim një seancë të re. Ai debat është ndërprerë për shkak të ikjes, mungesës së kryeministrit. Edhe sot prezenca e kryeministrit është e domosdoshme. Nuk ka pse me ikë prej deputetëve dhe s’ka pse të frikësohet nga ne”.

Edhe AAK i kërkon raportim Kurtit, Tahiri: Jemi në terr informativ për dialogun

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se gjenden në terr informativ sa i përket dialogut, për shkak të mostransparencës së qeverisë.

Me këtë ai u shpreh se edhe AAK e mbështet kërkesën e LDK-së, që kryeministri Albin Kurti të raportojë sot në kuvend për propozimin evropian, transmeton klankosova.tv.

”Jemi në terr informativ për dialog. Nuk është luftë partiake. Ne jemi ata që përfaqësojmë popullin. Kjo qasje tregon shumë për këtë kuvend. E mbështes kërkesën e Abdixhikut. E di që shumë prej jush që nuk pajtohemi edhe me qëndrimin tonë që e kemi pasë. Por është koha që të marrim një vendim e mos të humbim si vend”.

Rrustemi i VV-së për raportimin e Kurtit: Opozita po na torturon që dy javë me këtë diskutim për dialogun

Adnan Rrustemi nga Vetëvendosje, e ka quajtur torturë dyjavëshe, kërkesën e opozitës, që kryeministri Albin Kurti të raportojë në kuvend mbi çështjen e dialogut.

Sipas tij, ndryshimi i pikave të rendit të ditës, është joetike, përcjell klankosova.tv.

”Ka dy javë që opozita na torturon me këtë diskutimin e çështjes së dialogut politik. Praktikisht sot kemi 9 rende të ditës në rend dite. Nuk kemi seancë plenare, secila ka rend të ditës së përcaktuara.

Pika për të cilën po flet opozita, është pika e vetme e seancës së tetë në këtë rend dite. Nuk ka qenë interpelancë kjo, sepse këtu po akuzohet edhe mekanizmi parlamentar. Kryeministri se ka obligim deri në folësin e fundit të seancës. Edhe nëse vazhdojmë sot, aty ku është ndërprerë, kjo flet për deputetët që s’kanë folë atë ditë”.