Tragjedia në Greqi/ Ministri i infrastrukturës jep dorëheqjen: Kjo quhet përgjegjësi politike, nuk mund të vazhdoj sikur s’ka ndodhur asgjë
Ministri i Infrastrukturës dhe Transporteve në Greqi, Kostas Karamanlis ka dhënë dorëheqjen pas tragjedisë me 40 të vdekur që shkaktoi përplasja e trenave mëngjesin e sotëm.
Në një njoftim për shtyp ai tha se po merr përgjegjësi politike për ngjarjen e rëndë dhe nuk mund të sillet sikur s’ka ndodhur asgjë. Më herët, Karamanlis ishte shfaqur i ngarkuar emocionalisht kur ka vizituar nga afër vendin e tragjedisë.
Deklarata:
“Sapo jam kthyer nga skena e tragjedisë së trenit në Tempe. Dhimbja është e papërshkrueshme. Është fakt që hekurudhën greke e kemi marrë në një gjendje që nuk i përshtatet shekullit të 21-të. Në këto 3.5 vite kemi bërë të gjitha përpjekjet për ta përmirësuar këtë realitet. Fatkeqësisht, këto përpjekje nuk ishin të mjaftueshme për të parandaluar një aksident të tillë. Dhe kjo është shumë e rëndë për të gjithë ne dhe për mua personalisht.
Kur ndodh diçka kaq tragjike, nuk është e mundur të vazhdohet sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Unë kam disa vite që jam në politikë, por e konsideroj element të domosdoshëm të demokracisë sonë që qytetarët e vendit tonë t’i besojnë sistemit politik. Kjo quhet përgjegjësi politike.
Për këtë arsye jap dorëheqjen nga posti i ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit. Është ajo që e ndjej për detyrë të bëj si një shenjë minimale respekti për kujtimin e njerëzve që u larguan kaq padrejtësisht dhe duke marrë përgjegjësinë për gabimet e përjetshme të shtetit dhe sistemit politik grek. Nga thellësia e zemrës, edhe një herë shpreh dhimbjen dhe mbështetjen time për familjet e viktimave”, tha ai.