Deklaratë për Mediat e Kryetarit të LRE z. Arian Galdini.
Dua t’u bëj me dije qytetarëve shqiptarë, se gara për Bashkinë e Tiranës është e një rëndësie madhore për Lëvizjen e Re dhe për mua si Kryetar i Lëvizjes së Re.
Ndihem i kënaqur që ne kemi qenë nistorët e një procesi që tashmë ka ngacmuar shumë sensibilitete politike në Shqipëri.
Përveç 2 kandidatëve kryesorë, të cilët janë kandidatët e 2 partive të mëdha, të vetmit që kanë guxuar të vendosin veten e tyre në gatishmëri për përballje me 2 Kandidatët e Kryetarëve dhe Rregjimit, kemi qenë ne.
Dhe u deshën javë këmbënguljeje nga ne që tashmë në garë të shohim një pluralitet ofertash dhe unë besoj se hyjmë apo s’hyjmë në garë ne si LRE, ia dalim apo s’ia dalim të hyjmë në garë ne si LRE, ka mjaftuar vullneti ynë për t’u përballur me Rregjimin që tashmë shqiptarëve t’u ndryshojë fleta e votimit.
Pra ne e konsiderojmë si një fitore të parë dhe i përshëndesim kandidatët që po ofrohen dhe po deklarohen se janë të gatshëm të hyjnë në garë dhe u urojmë mirëseardhjen në këtë garë.
Është një fitore paraprake e jona, madje sa më shumë kandidatë të ketë në garën për Tiranën, aq më tepër mundësi do të ketë që demokracia në kryeqytet të shpalosë vetveten nëpërmjet mundësisë së qytetarëve për të zgjedhur më të mirët apo ata që ata dëshirojnë apo ku ndihen të përfaqësuar.
Ne si Lëvizje e Re, po vijojmë procesin e mbledhjes së firmave.
Sigurisht që nuk është një proces i lehtë, por që ne jemi të vendosur që të përpiqemi deri në momentin e fundit, deri në sekondën e fundit dhe deri në firmën e fundit, për të mbledhur firmat e nevojshme sipas kodit elektoral dhe për t’u rregjistruar.
Njoftojmë publikun, dashamirësit, qytetarët se kemi afat pothuajse deri në fund të muajit mars që të gjithë së bashku të punojmë për t’ia dalë që t’i mbledhim firmat mbështetëse nga qytetarët e Tiranës.
Shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës që të tregohen zemërhapur dhe guximtarë për të mbështetur kandidatët të cilët vijnë për të kërkuar firma, partitë dhe nismat e reja që vijnë për të kërkuar firma, sepse nëse në 90-tën shqiptarët do të duhej të dilnin në sheshe për t’u çliruar nga diktatura dhe kapja totale e shtetit prej Partisë Komuniste apo Partisë së Punës, sot ne mundemi ta çlirojmë sistemin, së paku zgjedhjet, me firmën tonë.
Nga dalja në sheshe tek firma, unë mendoj se është një arritje e madhe.
Firma juaj të dashur qytetarë mund të ndryshojë realitetin.
Nëse në 90-tën pluralizmin politik e fituam me dalje në shesh dhe me protesta të mëdha, sot kemi mundësi ta riformatojmë pluralizmin tonë politik me firmën tonë mbështetëse ndaj kandidatëve të partive të reja dhe lëvizjeve të reja…
Unë inkurajoj qytetarët që t’i japin firmat për të gjitha partitë e reja dhe kandidatët të cilët deklarohen si përballës me Rregjimin.
Dhe sigurisht ju bëj thirrje që të mbështesin Arian Galdinin si kandidatin e djathtë, si kandidatin e të Djathtës Humane për Kryetar Bashkie.
Kemi një garë tashmë që ka pluralitet në emra, por që është monokolor në alternativa.
Kemi kandidatin e Partisë Socialiste Erion Veliaj që përfaqëson të majtën, kemi kandidatin e Ilir Metës dhe të Sali Berishës që përfaqëson prapë një të majtë tjetër, kemi edhe disa të tjera alternativa që janë diku mes të majtës dhe qendrës, e për rrjedhojë, Arian Galdini, sot për sot është i vetmi kandidat që vjen si i djathtë, konkuron si i djathtë, e kërkon votën si i djathtë dhe si opozitar i qartë me të majtat që janë Rregjimi- Qeverisja- Opozitat dhe të majtat alternative të reja të cilat ndonëse i përshëndesim për ekzistencën e tyre, njëkohësisht duam ti konkurojmë si të djathtë.
Video:
https://we.tl/t-jqN8EnovOG