Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka bërë të ditur se në takimin e të hënës në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë rënë dakord që nuk nevojiten diskutime të mëtutjeshme sa i përket propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në një konferencë për media, ai ka treguar se në mes të muajit mars pritet të mbahet edhe një takim tjetër i nivelit të lartë ku do të diskutohet për implementimin e kësaj marrëveshjeje, njofton Klan Kosova.
“Borrell ka qenë shumë i qartë në konferencën e tij dhe në prononcimin e tij me shkrim pas takimit. Dje ajo që u diskutua ka qenë propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
“Pastaj në prononcimin e tij, ai tregoi se për çfarë janë pajtuar palët. Ajo për të cilën janë pajtuar ka qenë që nuk do të nevojiten diskutime të tjera rreth propozimit të BE-së për të cilin tashmë është një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Tutje, zëdhënësi i BE-së ka shtuar se palët kanë treguar gatishmërinë të procedojnë me implementimin e kësaj marrëveshje.
“Në këtë frymë, në ua kujtuam të dyja palëve sikur më parë se presim që të gjitha marrëveshjet të zbatohen”.