Instruktori i parë shqiptar tregon historinë e jetës: Krijova palestrën fshehurazi në diktaturë, trupin nuk e mbaja dot drejt
Edi Shameti është instruktori i parë shqiptar i cili ka 35 vite që merret me palestër. I ftuar në “ABC e Mëngjesit”, ai ka treguar se si nisi të stërvitej në kohën e komunizmit, ku te tarraca e shtëpisë krijoi dhe palestrën e parë me mjete të ndërtuara vetë.
Shameti zbuloi se spunton e ka marrë nga një libër të Idriz Humollit, të cilin rastësisht e kishte gjetur në Bibliotekën Kombëtare.
Sakaq, ai ka treguar që në atë kohë trupin e mbante të kërrusur publikisht pasi konsiderohej shfaqje e huaj.
“Shumica e djemve që ishin të apasionuar pas këtij sporti, shkonin te biblioteka kombëtare dhe me copa letre shkruanin programin e stërvitjes se aty e tregon si bëhet stërvitja, dieta ushqimore, ekzekutimet e ushtrimeve. Ky libër është i përkthyer, Idriz Humolli është autori i librit që ka qenë kampioni i parë kosovar, president i Federatës të Kosovës që ka krijuar sportin për bodybuilding. Ai e ka përkthyer në shqip dhe e ka sjellë këtu në territorin shqiptar.
Mbasi më ra në dorë ky libër, unë arrita të krijoj palestrën time, në ’86-’87 në oborrin e shtëpisë sime, në lagjen Ali Demi. Pra, te tarraca e shtëpisë krijova një palestër profesionale për çdo pjesë të trupit mbasi më ra në dorë ky libër. Kisha çdo pjesë të trupit, se kisha 3-4 shokët e mi që ishin si puna ime shumë të apasionuar pas sportit dhe krijuam veglat e stërvitjes.
Babi im mbante fshehurazi 40 pula te tarraca e shtëpisë dhe dieta ishte vetëm vezë dhe 1 kg qumësht me listë, kaq ishte dieta. Një kg qumësht dhe vezët e freskëta.
Ka qenë jashtëzakonisht e vështirë në atë kohë. Edhe trupin nuk e mbaja dot drejtë se ishte shfaqje e huaj me pas trup të bukur në atë kohë. Nuk vishje dot bluza të ngushta, duhet të rrije me trupin e kërrusur. Stërvisja njerëz fshehurazi dhe pa pagesë deri në vitin 2000. Pastaj hapa palestrën time. Zgjodha deri në vitin 2000 për qejf, pastaj mora vegla profesionale nga jashtë”, rrëfeu Shameti./abcnews.al