Shala deklarohet i pafajshëm, gjykimi vazhdon më 27 mars

Në seancën gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Pjetër Shala u deklarua i pafajshëm, meqenëse ai kishte luftuar për lirinë e vendit.

Ai tha se ka luftuar kundër një makinerie policie ushtarake të një regjimi kriminal të Slobodan Millosheviqit, por kurrë kundër civilëve.

“Unë kam qenë një luftëtar që kam luftuar për lirinë e vendit dhe popullit tim, asgjë më shumë e as më pak”, ka thënë Shala.

Më tej, ai shtoi se nëse është qëllimi i këtij institucioni ta dënojë pasi ka luftuar për lirinë e vendit të tij dhe popullit të tij, është në rregull, por jo në këtë mënyrë të baltoset dhe njolloset dhe jo në këtë metodë, pasi as ai e as UÇK nuk kanë luftuar kundër civilëve dhe nuk kanë pasur të bëjnë asgjë me këto akuza.

“Unë jetoj që 25 vjet apo shkurt thënë çerek shekulli në Belgjikë, shtet demokratik, detyra e prokurorit aty ku jetoj unë është hulumtoj, zbuloj paraqes provat dhe kërkoj drejtësi, në asnjë mënyrë t’i sajoj, t’i fabrikoj, në asnjë mënyrë. Madje aty ku jetoj unë është vepër penale, është e dënueshme”, tha Shala, përcjell Klankosova.tv.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, që akuzohet për drejtimin e një burgu të improvizuar kur supozohet se u keqtrajtuan njerëz dhe një u vra, në nisje të gjykimit ndaj tij në Hagë, tha se akuzat ndaj tij janë të fabrikuara.

Prokurorët kanë ngritur katër akuza për krime lufte ndaj Shalës, përfshirë akuzat për torturë dhe vrasje. Ata kanë argumentuar se Shala ka qenë pjesë e një grupi kriminal që ka arrestuar dhe ka keqtrajtuar të paktën 18 persona, që i konsideronin spiunë apo bashkëpunëtorë të serbëve.