Rrëfimi i 17-vjeçarit që xhiroi mesazhin lamtumirës nën rrënojat e tërmetit

17 vjeçari nga Adiyami i Turqisë, Taha Erdem, nga nën rrënojat e shtëpisë, e kishte xhiruar mesazhin lamtumirës.

Kjo pasi Taha nuk mendoi se nga aty do të nxirrej i gjallë, ndërsa shpresat për ta parë të birin përsëri, i kishin humbur edhe prindërit. Pas shpëtimit këto momente i ka kujtuar vet Taha, ndërsa numri i të vdekurve nga tërmeti i rëndë në Turqi dhe Siri, ka shkuar në mbi 45 mijë.

“Shtëpia po dridhet. Por, vdekja, shokët e mi, vjen në kohën kur pritni më së paku. Në jetë pendohem për shumë gjëra. Zot, falmi mëkatet. Nëse dal nga këtu i gjallë, dua t’i bëj shumë gjëra. Toka po dridhet akoma, po më dridhen duart, është tërmet përsëri”, kishte thënë ai.

Taha thotë se zakonisht rrinte zgjuar deri në orët e vona.

Por, natën që ndodhi tërmeti, vendosi të shkonte të flinte më herët.

“Kur më doli gjumi u ngrita shpejt në këmbë nga dridhjet. E kuptova që po ndodhte një tërmet. Ndërtesa jonë u shemb pas vetëm 7 sekondave. Unë u nisa për të vrapuar drejt derës, por e gjeta vetën nën rrënoja. Në videon që e xhirova, kishte ende dridhje të tokës. Arsyeja pse e xhirova atë video, ishte se kulmi po binte më poshtë vazhdimisht dhe mendova se do të vdisja”

E me kalimin e ditëve, shpresat se do ta shihte të birin e gjallë, po i shuheshin edhe Zaliha Erdemit.

“Kur na nxorën nga gërmadhat, na futën në një makinë dhe na dërguan te motra ime. Kur arrita aty, e pash edhe Tahan. Bota ishte e imja në ato momente. Tani s’më ka mbetur gjë, por i kam fëmijët e mi”, thotë ajo.

Se një ditë do të ulej me gjithë familjen përsëri, nuk e kishte mendar as babai i Tahas, Ali Erdem.

“Mendova që Taha ka vdekur. Nuk e dëgjoja asnjë zë nga ai, thashë me vete Ka vdekur, ka ikur!” Fëmijët e tjerë i kisha afër nën rrënoja, me thoshin që nuk po mund të marrin frymë, se kanë të ftohtë. Mua në jetë më mbajti shpresa se mund t’i nxjerrë fëmijët e gjallë”

Ndërkohë të dielën numri i të vdekurve nga tërmeti i fundit në Turqi dhe Siri, ka shkuar në mbi 45 mijë.

Ndërsa zonat e prekura nga ky termet, të dielën i ka vizituar edhe sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken./Tëvë1/

https://www.youtube.com/live/10tHziHvMKk?feature=share&t=843