Emir Kusturica – një rus i vogël

Merxhan Jakupi
Emir Kusturica rrjedh nga një familje boshnjake muslimane. I ati, Murat Kusturica ka qenë intelektual dhe ka punuar si gazetar në Sarajevë, kurse e ëma, Senka (Senada) Naumkadiç, rrjedh nga një familje fisnike boshnjake muslimane. Emir Kustunica ka studjuar në Çekosllovaki, Pragë, në Akademinë e Arteve për regjisor, në periudhën e ish-Jugosllavisë. Pasi mbaroi studimet, ai u kthye në Sarajevë, ku punoi si gazetar dhe profesor. Më vonë Kusturica u bë i famshëm me filmat e tij. Si regjisor i njohur në tërë botën, ka xhiruar më se njëzet filma, drama dhe dokumentarë. Përveç profesionit si regjisor dhe skenarist, ai u mor dhe me muzikë. Si muzikant ai ka dhënë qindra koncerte. Në fillim të viteve ’80-të, në Festivalin e Venecies ai u shpërblye me Çmimin “Luani i Argjentë”. Kurse më 1985, në Festivalin e Filmit në Kanë fitoi “Palmën e Artë” (Palme d’Or) për filmin “Babai në udhëtim zyrtar” (“Otac na sluzhebnum putu”), i cili u zgjodh si filmi më i mirë i vitit.

Emir Kusturica, pas regjisorit franko-polak Roman Pollanski dhe regjisorit çek Millosh Forman, u bë regjisor i njohur në Europën Lindore të periudhës së luftës së ftohtë.

Një kushëriri im i afërt ka qenë aksioner në një koncern, një firmë gjigande në Sarajevë, “Energo Invest” gjatë viteve ’80-të. Ai rrëfen se në këtë kohë, në një darkë pompoze së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm dhe Selektorin e ekipit kombëtar të klubit futbollistik të ish-Jugosllavisë është takuar për here të parë me Emir Kusturicën. Gjatë darkës, duke pirë verë, Kusturica vetë kishte konfirmuar se është me origjinë shqiptare.

Një mik i imi nga Gostivari që ka një firmë dhe një ndër restorantet më atraktivë në Sarajevë, para 20 viteve më ka treguar për familjen Kusturica. Muratin, të jatin e Emirit, e ka pasur mik të afërt. Ai tregonte se familja Kusturica kishte ardhur nga Shqipëria e Veriut para dy shekujve dhe ishte vendosur në Sanxhak. Kurse vetë Emiri ka qenë klient dhe preferonte samun me qebapë në qebaptoren tonë të njohur në Sarajevë.

Sipas profesorëve, miqve të tij të afërt në Sarajevë, Emiri kishte qenë nacionalist në rininë e tij. Ai rrëfente për masakrat, vrasjet e ushtrive serbe dhe çetnikëve gjatë afër një shekulli ndaj boshnjakëve. Shumë anëtarë nga familja Kusturica në Vishegrad dhe Srebernicë në periudhën e dy luftrave botërore ishin masakruar, dhunuar dhe hedhur në Lumin Drin nga ushtria dhe çetnikët serbë. Kur filloi lufta në Sarajevë, ai shkoi në front. Në fillim Kusturica ishte admirues i liderit boshnjak Alija Izetbegoviç. Kusturica rrëfente për takimet që kishte pasur me liderin karismatik Izetbegoviç. Ai tregon se në një rast, kur po recitonte një satirë të Ivo Andriçit, Izetbegoviçi e ndërpreu dhe i tha: “Shiko, biri im! Ti nuk e njeh mirë Andriçin. Shoh që je shumë i indoktrinuar. Edhe pse Andriçi është shkrimtar i mirë dhe fitues i Çmimit Nobel, ai është një kapo e çetnik serb. Andriçi i ka duart të përlyera me gjak. Ka bërë spastrime etnike së bashku me Çubriloviçin në periudhën e monarkisë jugosllave. Nga terrori dhe masakrat qindra mijë boshnjakë dhe shqiptarë janë shpërngulur me dhunë në Turqi.” Kusturica rrëfen se kur i dëgjoi këto thënie, i konsideroi si shpifje, ksenofobi dhe urrejtje ndaj Andriçit që ishte ideali, miti i tij dhe tha me vete: “Ky njeri asnjëherë nuk do të jetë Presidenti im.” Ai nuk e takoi më Izetbegoviçin.

Poeti, romancieri, akademiku, e skenaristi i shquar boshnjak Abdullah Sidran , i cili ka qenë edhe profesori dhe tutori i Kusturicës (bile ata kanë bashkëpunuar ngusht edhe për dy filmat kryesorë që kanë marrë çmime), thotë se Kusturica ishte edukuar në një familje fisnike dhe qytetare. Ai shkruan: “Kusturica, si student i imi mburrej për identitetin, traditat, trashëgiminë kulturore dhe kombëtare. Një herë Emiri më dha të lexoja disa vargje që kishte botuar me titull ‘Nasha Drina je Meka i Medina’ (‘Drina jonë është Meka dhe Medina’).” Është absurde dhe tragjikomike se si Kusturica u konvertua në një serbomadh e rus të vogël, në një orthodokso-pansllavist ekstrem. Profesori i Kusturicës nuk e beson këtë. Abdulla Sidrani thotë se Kusturica është vrarë më 1994 duke mbrojtur Sarajevën. UDB-ja serbe e ka zëvendësuar me një kopje të tij, një sozi me emrin Pantelija Milisavljeviç.

“Emir Kusturica ka fyer tokën, gjenin, fisin dhe ka trazuar shpirtrat e vdekur.”

Është bërë zakon që sapo të takosh ndonjë boshnjak, pas bisedave të zakonshme, çdo herë të hapet tema e Emir Kusturicës. Unë isha para ca viteve tek kushëriri im i afërt në Bihaç. Duke pirë kafe me miqtë, unë e fillova temën e Emir Kusturicës. Një profesor nga Universiteti i Tuzllës më tha: “E dija se do të hapet tema e Kusturicës.” Profesori tha se e kishte njohur Kusturicën më parë. Ai vazhdoi: “Ne boshnjakët nuk jemi kundër konvertimit të individëve si qytetarë. E drejta e çdo individi është të konvertohet në besimin që dëshiron ose të jetë ateist. Por Kusturica ka fyer, ka damkosur dhe ka shkelur mbi gjakun e mbi njëqind mijë të vrarëve, të masakruar e të dhunuar nga forcat barbare dhe kriminele sërbe. Edhe kushërinjtë e tij sot dergjen në labirintin e tetë mijë varreve në Srebernicë.”

Unë i thashë profesorit se kisha lexuar në gazeta, portale intervistat e Kusturicës, ku thotë me mburrje: ”Unë jam qytetar kozmopolit; mund të udhëtoj në tërë rruzullin tokësor, por vetëm në qytetin ku kam lindur nuk mund të shkoj.” Kusturica pohon se qyteti i kulturës, i artit, i Olimpiadës është shndërruar në Teheran dhe Meka. Sipas tij, “mbi dyqind mijë serbë janë larguar dhe qytetin e kanë okupuar muxhahidinët dhe arabët. Kurse tani në Sarajevë flitet turqisht dhe arabisht.” Profesori tha që Kusturica është “persona non grata” në Sarajevë, por edhe në Zagreb dhe Prishtinë.

Kusturica nuk mund të udhëtojë në SH.B.A., në Hollivud, dhe e ka të ndaluar të hyjë në disa shtete, siç ishte rasti, për shembull, në një festival në Ukrainë. Kusturica, si një ndër regjisorët më të mirë në Ballkan, e ka humbur imazhin dhe reputacionin e tij të dikurshëm. Tashmë ai është regjisor e skenarist që punon nën axhendën e diktatin e qeverisë serbe. Projekti i Kusturicës në të ardhmen është filmi, sipas porosisë së serbëve, “Trafikimi i organeve në Kosovë”, si dhe filmi “Jasenovac”. Arti i tij, filmat e dramat e tij janë instrumente politike, motive nxitëse, provokative ndaj popujve dhe etnive të ish-Jugosllavisë. Kusturica është bërë më orthodoks radikal se Patriarku i Kishës autoqefale në Stamboll (apo në Moskë).

Kur Sarajeva jetonte në agoni, e rrethuar në geto, dhe serbët gjuanin me topa dhe snajperë, sikur pas lepujve Emir Kusturica në Sava Centar në Beograd, së bashku me Sllobodan Millosheviçin pinin uiski dhe festonin. Gazetari Aleksandar Stankoviç bëri një intervistë në shtëpinë e nikoqirit Kusturica. Gjatë intervistës gazetari i tha: “Ju zotri Kusturica keni deklaruar haptazi se Millosheviçi nuk është kriminel lufte.” Kusturica u justifikua duke thënë se nuk ka argumente. Gazetari e pickonte dhe më tej: “Zotri Kusturica, Radovan Karaxhiçi për ju është hero; keni shkruar poezi dhe i këndoni këngë nëpër koncerte.” Kusturica, i skuqur në fytyrë, nuk foli por vazhdoi të pinte uiski. Gazetari i tha më tej: “Origjina juaj është nga Srebernica. Natën e masakrës ju keni pirë së bashku me Millosheviçin.” Kusturica i trullosur dhe i revoltuar nuk mundi të duronte me tej. E ndërpreu intervistën, ia mori cd dhe i tha gazetarit “Ju nuk mund të jeni i mirëpritur kčtu” dhe në fund e dëboi mysafirin nga shtëpia.

Boshnjaku Muhamed Filipoviç, një ndër intelektualët, akademikët dhe diplomatët më të shquar, shkruan se serbët e mashtruan, i bënë lavazh trurit, e indoktrinuan Kusturicën. Serbët gjithë personalitetet dhe figurat me emčr kanë tentuar t’i uzurpojnë, t’i bëjnë të tyret duke manipuluar të vërtetën. Ata thanë që dhe shkrimtari boshnjak Fejzo Selimoviq është me origjinë serbe. Boshnjaku Filipoviç deklaron se edhe atë e etiketojnë se është me origjinë serbe. Shkrimtari, publicisti dhe politikani Hajrudin Radonçiç thotë që Emir Kusturica është nga Vishegradi. (Çupria u Drini) Ura e Drinit ishte qytet oriental me xhami, hamame, dyqane me arte, zanate, të cilin forcat serbe me 1993 e fshin nga faqja e dheut. Ky qytet identik dhe autokton i muslimanëve të Bosnjës, mbrenda një shekulli ka pësuar gjenocid dhe pastrim etnik të përsëritur.

Në Luftën e Parë Botërore mijra banorë boshnjakë u vranë, u masakruan, u dhunuan dhe u hodhën tek Ura e Drinit nga forcat militare serbe. Në Luftën e Dytë Botërore u përsërit i njëjti skenar dhe terror. Në vitin 1993 korpusi i ushtrisë jugosllave në Uzhica u kërkoi banorëve boshnjakë që të mos arratisen dhe të ikin pasi ata do t’u garantonin paqe.

Komplloti dhe kurthi i përgatitur u realizua. E ashtuquajtura ushtri jugosllave ndërruan uniformën në paramilitarë dhe çetnikë serbë dhe masakruan qindra banorë të cilët i hodhën në lumë tek Ura e Drinit. Radonçiç shkruan se qytetin e Vishegradit, qytet ku ka lindur Veziri i Madh Mehmet Sokoloviq, Kusturica e ka shndërruar në fole, bastion dhe muze të kriminelëve, hordhive dhe barbarëve serbë. Vishegradi duhet të ishte Auschwitz dhe jo Las Vegas. Gjatë viteve 70-të unë kam qenë shpesh atje. Kam pasur shumë miq në këtë qytet dhe e kam kaluar me qindra herë urën e Drinit. Ky qytet më pëlqente se i ngasonte qytetit tim.

Emir Kusturica rrëfen për turneun në Rusi dhe takimin me Vladimir Putinin. Kusturica thotë se duke filluar prej doganierit e deri tek elita ishte i njohur në Rusi si regjisor me filmat e tij. Takimi me një ndër figurat dhe personalitetet më karismatike në botë Kusturica e përshkruan me shumë emocione: “Në dorë kisha librin “Kosovo” (“Kosova”). Këtë libër Putinit ia dhashë si dhuratë. I thashë Presidentit se në këtë libër është një copë Rusi. Histori tragjike, e zhurmëshme dhe apokaliptike. Kosova është si Jeruzalemi i pansllavizmit dhe orthodoksizmit rus dhe serb. Janë shkatërruar dhe djegur mbi 700 kisha dhe manastire, i gjithë thesari, ikonat, trashëgimia kulturore dhe shpirtrore e popullit serb që rrjedh në gjakun, fisin dhe token e Rusisë mëmë. Vladimir Putini u emocionua dhe, duke iu dridhur mjekra, i rrëshqitën disa pika loti nga faqet. Me zë të ulët përsëriti fjalët: ‘kriminelët, barbarët’. Putini tha: ‘Në periudhën e Boris Jelcinit gjithë elita politike, gjeneralët dhe gjithë rusët ishim të dehur. Po të ishte kjo Rusi e sotme, Kosova do të hynte provincë serbe përgjithmonë.’ Kështu tha Presidenti rus.”

Shkruan: Merxhan Jakupi