Parakalimi i Ushtrisë e Policisë së Kosovës kënaq qytetarët
Për nder të 15 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në sheshet e Prishtinës parakaluan pjesëtarë të Ushtrisë së Kosovës dhe ata të Policisë së Kosovës.
Para se parakalimi të niste, fjalë rasti mbajtën presidentja e vendit, që njëherësh është edhe Komandante Supreme e FSK-së, Vjosa Osmani, si dhe kryeministri Albin Kurti.
Presidentja Osmani ka thënë se ushtria dhe policia e Kosovës janë të gatshme për të ruajtur çdo cep të territorit të Kosovës.
Në manifestimin qendror të shënimit të 15 vjetorit të pavarësisë, Osmani tha se ushtarët dhe policët tanë janë pasardhës të Ushtrisë Çlirimtare.
“Jo rastësisht, trupat e ushtrisë sonë, Forcës së Sigurisë dhe të Policisë së Kosovës do të parakalojnë sot në tri sheshe emblematike, të cilat përmbledhin dhe gërshetojnë një pjesë të madhe të historisë sonë. Do të fillojnë nga sheshi “Ibrahim Rugova”, do të vazhdojnë nëpër sheshin “Nëna Terezë”, e do të kthehen këtu tek sheshi “Zahir Pajaziti”, e pas nderimit ndaj 15-vjetorit të pavarësisë së shtetit, kuadratet e tyre do të kthehen në kazermën, e cila mban emrin e ikonës së luftës sonë çlirimtare, komandantit legjendar Adem Jashari”, tha Osmani, raporton Klankosova.tv.
“Vajzat dhe djemtë e Ushtrisë dhe Policisë sonë, në këtë ditë feste”, Osmani tha se “do të marshojnë nga sheshi pra që mban emrin e arkitektit të shtetit të Kosovës, atit themeltar, presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova, i cili edhe tani po na shikon nga atje, duke u ndier jam e bindur krenare me sukseset e shtetit tonë”.
“Republika jonë mban vulën e sakrificës së tre mijë dëshmorëve të UÇK-së të cilët u udhëhoqën nga komandanti legjendar Adem Jashari. Liria, pavarësia dhe shteti ynë janë testamenti i tij dhe i shumë brezave, ndaj përulemi me respekt para tyre”, theksoi Komandantja Supreme e FSK-së.
Ajo shtoi se kuadratet e ushtrisë, të cilat sot parakalojnë para nesh së bashku me Policinë e Kosovës janë pjesa më e ndritshme e historisë së re të Kosovës dhe ndërlidhja e dy periudhave historike, të cilat i dhanë udhë lirisë së vendit tonë, shtetformimit dhe shtetndërtimit.
“Sikurse ushtria jonë që dëshmohet e na bën krenarë çdoherë, edhe Policia e Kosovës, e cila së fundi u përballë me angazhim të shtuar nga zhvillimet në veri të vendit ka treguar përkushtim e vendosmëri për ta ruajtur rendin dhe ligjin, por mbi të gjitha për ta ruajtur sovranitetin në çdo cep të Republikës së Kosovës. Këta vajza e djem, janë pasardhësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët e kthyen dhe mbrojtën dinjitetin e popullit tonë. Prandaj, faleminderit secilit veç e veç”, u shpreh presidentja.
Veç tjerash, e para e shtetit falënderoi edhe miqtë e Kosovës, “në radhë të parë faleminderit për Shtetet e Bashkuara të Amerikës aleatët tanë të përjetshëm, faleminderit për të gjitha shtetet anëtare të NATO-s si dhe shtetet e tjera mike anekënd botës, të cilat duke mbështetur të drejtën tonë për të jetuar të lirë, u vendosën në anën e duhur të historisë”.
“Forca jonë është profesionale dhe e gatshme kurdo në mbrojtjen e sovranitetit dhe të paprekshmërisë së territorit të Republikës sonë, andaj sot së bashku me ju qytetarë të nderuar do të kemi mundësinë që ushtrisë sonë e Policisë sonë t’i themi së bashku faleminderit gjatë këtij parakalimi. Si shoqëri dhe si shtet i detyrohemi ushtarëve tanë e policisë sonë si dhe sakrificës së tyre. Ata janë mishërim i vetëmohimit dhe i shërbimit. E pavarësia jonë nuk është vetëm çlirim nga robëria, por edhe përpjekje e çdoditshme e jona për një shoqëri të bazuar në drejtësi, barazi dhe prosperitet për të gjithë qytetarët pa dallim”.
“Prandaj, le të punojmë së bashku për të ndërtuar një të ardhme më të ndritshme për vendin tonë dhe brezat që do të vijnë. Periudha në të cilën po kalon shteti ynë, në këtë kohë të sfidave dhe kërcënimeve globale, shton nevojën e bashkimit tonë në një front, në të mirë të Republikës. Sepse, vetëm kur jemi bashkë jemi të suksesshëm. Republika jonë është e shenjtë dhe ne duhet ta trajtojmë dhe ta ruajmë si të tillë”.
“Republika e Kosovës është e përjetshme, siç do të jenë të vazhdueshme edhe përpjekjet tona për ta fuqizuar atë dhe për të vazhduar për t`u ndje krenarë me shtetin, i cili është interesi ynë mbi secilin interes tjetër”, përfundoi presidentja Vjosa Osmani.
Para qindra qytetarëve, fjalën e mori edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se ushtarët dhe policët e Kosovës kanë treguar aftësi dhe profesionalitet.
Ai tha se buxhetin për mbrojtje po e rrisin vazhdimisht.
“Këta janë të betuar për të mbrojtur sovranitetin dhe rendin dhe ligjin në Kosovë”, tha ai.
Në fund, Osmani dha urdhrin që të niste parakalimi.
Gjatë paradës së pjesëtarëve të FSK-së dhe Policisë, shumë qytetarë ishin mbledhur për të parë nga afër forcat mbrojtëse të vendit. Ata u ndanë shumë të lumtur.
12:50 – Osmani në Kuvend: Le të punojmë bashkë që shtetin dhe Republikën e Kosovës ta forcojmë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, për ndër të 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë, ka thënë se foli për unifikim dhe bashkim politik “para atyre që duan ta minojnë shtetin e Kosovës”.
Nga spektri politik ajo kërkoi që të dominojë interesi i shtetit, ndërsa nga bashkësia ndërkombëtare që shtetet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e NATO-s.
“Këto sfida na kanë bërë që të përplasemi përbrenda, pasi kemi pikëpamje të ndryshme. Si gjithnjë do të jemi një të bashkëndjejmë. Prandaj pavarësisht dallimeve në pikëpamje politike, spektri politik do të dominojë në interes të vendit. Ne jemi fuqishëm në anën e aleatëve tanë, vendet e Ballkanit Perëndimor, ato që janë demokratike sa më shpejtë të anëtarësohen në NATO. Prandaj le të punojmë bashkë edhe pa reshtur që shtetin dhe Republikën e Kosovës ta forcojmë. Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës, Zoti i bekoftë qytetarët e Kosovës”.
“Qëndresën e pashembullt të brezave të lirisë, e cila i parapriu jetësimit të ëndrrës së madhe, presidentit historik, dr. Ibrahim Rugovën i cili e siguroi respektin e gjithë botës demokratike. Bijat tona në UÇK që sakrifikuan jetën në mbrojtje të vendit, komandantin Adem Jashari i cili i priu rezistencës për liri, përfaqësuesit e shtetit të cilët për 15 vjet kontribuuan për jetësimin demokratik të vendit, ushtarëve e policisë sonë, ushtarët e FSK-së që po luftojnë për shpëtimin e jetëve nga tërmetet në Turqi e Siri. U falënderohemi edhe miqve tanë, aleatëve tanë të cilët i kemi quajtur me të drejtë shpëtimtarë e miq të lirisë, kur ne ishim të shtypur e luftonim për lirinë, kur u çliruan në tokën e lirë, ata janë këtu edhe sot, partnerë të besueshëm e të qëndrueshëm më të cilët edhe sot po e ndërtojmë të ardhmen tonë”, deklaroi Osmani.
E para e shtetit shtoi se në këto 15 vjet shtet Kosova është zhvilluar e forcuar si shet i ri, si në romanizimin e jetës politike dhe funksionimin e institucioneve si dhe ka krijuar bazë solide për funksionim të mëtutjeshëm.
“Institucionet po forcohen e kjo është e arritur e madhe. Sfidat kanë qenë të pashmangshme por i kemi tejkaluar me aleatët tanë, këto sfida na kanë bërë të kemi përplasje të brendshme por na kanë bërë edhe më të fortë, kanë dëshmuar aftësinë tonë për të qenë më të qëndrueshëm karshi tyre. Këto sfida janë të pranishme edhe sot kur Kosova falë përcaktimit të saj të hershëm po përpiqet të përcaktojë pozitën e saj drejt strukturave euroatlantike në NATO”, shtoi ajo.
12:31 – Konjufca: Jemi shtet i ri, por rrënjët i kemi të moçme
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në seancën solemne të 15-vjetorin të Pavarësisë, tha se Kosova kurrë nuk do ta harrojë gjenocidin serb. Edhe pse e quan Kosovën si shtet të ri, Konjufca tha se “rrënjët i kemi të moçme”.
“Nuk i harrojmë të pagjeturit që na mungojnë, as burrat dhe gratë që u dhunuan. Por mbi të gjitha i përkulemi popullit tonë, për qëndresën e tyre shekullore. Por kurrë nuk do ta harrojmë gjenocidin, të cilin e bëri Serbia mbi gratë dhe pleqtë tanë. Ne jemi shtet i ri, por rrënjët i kemi të moçme. Do ta ruajmë shtetin tonë si gjënë më të vlefshme”, tha Konjufca.
Osmani e Kurti nderojnë “Heroinat” policët e rënë në detyrë
Presidentja Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin Albin Kurti kanë bërë nderime te Monumenti i “Heroinat”, në Prishtinë, që simbolizon kontributin dhe sakrificën e gjithmbarshme të grave dhe vajzave shqiptare, me rastin e 15-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ata po ashtu kanë bërë nderime edhe te Monumenti i Policëve të rënë në detyrë.
10:50 – Krerët e shtetit bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë bërë sot homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz, me ç’rast vendosën dhe kurora lulesh pranë varreve të familjes Jashari.
Krerët e shtetit që sot mbush 14 vjet pavarësi, aty ishin të shoqëruar edhe nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili po qëndron në vizitë në vendin tonë.
09:55 – Krerët shtetërorë, homazhe pranë varrit të Rugovës
Për nder të 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, krerët e shtetit të Kosovës por edhe presidenti i Shqipërisë, së bashku bënë homazhe te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova.
Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca bashkë me presidentin shqiptar, Bajram Begaj, kanë vazhduar homazhet dhe nderimet edhe te varri i veprimtarit, Adem Demaçi.
Për shënimin e 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Qeveria e Kosovës ka organizuar një sërë aktivitetesh.
Pas mbledhjes festive të Qeverisë, është bërë ngritja solemne e Flamurit të Republikës së Kosovë. Krerët shtetërorë bënë homazhe edhe te Monumenti i të Pagjeturve. Ndërsa, janë paraparë edhe homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, shkruan transmetuesi publik.
Po ashtu, për nder të 15 vjetorit të pavarësisë në sheshet e Prishtinës, do të parakalojnë ushtarët e Forcës të Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.
Gjatë pasdites, do të ketë edhe aktivitete të tjera.
08:34 – Bëhet ngritja solemne e Flamurit të Kosovës (FOTO)
Sapo është bërë ngritja solemne e Flamurit të Republikës së Kosovës, në 15-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
Ngritja u bë para objektit të Qeverisë, në praninë e presidentes Vjosa Osmani, homologut të saj shqiptar, Bajram Begaj, kryeministrit Albin Kurti dhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca, njofton Klankosova.tv.
Krerët shtetërorë do të vendosin kurora lulesh te Monumenti i të Pagjeturve në sheshin “Ibrahim Rugova”.
Kurti: Kosova nuk është produkt i rastësisë, por i historisë së vet
Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen festive të Qeverisë të mbajtur për nder të 17 shkurtit, tha se Pavarësia e Kosovës është arritur përmes luftës dhe sakrificës, dhe se pavarësia do të rritet vetëm përmes punës.
“Në këtë përvjetor të pavarësisë së Kosovës, detyra jonë kryesore është se kur të vije 20 vjetori të jenë jetuar që të rejat dhe të rinjtë mund të zgjedhin Kosovës për jetë”, tha Kurti.
Ai u shpreh se Kosova është shembull i demokracisë në Ballkan.
“Pavarësia jonë është si rezultat i historisë shekullore, ne e dimë mirë çka është bashkëjetesa”, deklaroi kryeministri.
I pari i qeverisë tha se duhet të ketë parasysh amanetin e gjeneratave që kanë dhënë gjakun e tyre për lirin e Kosovës dhe nuk e gëzojnë atë.
“Kosova nuk është produkt i rastësisë, por i historisë”.
Ky është fjalimi i tij i plotë:
Të nderuar zëvendëskryeministra Bislimi, Gërvalla-Schwarz dhe Rexhepi,
Të nderuar ministre e ministra të pavarësisë sonë pesëmbëdhjetë vjeçare,
Të nderuar punonjës të kryeministrisë,
Të nderuara medie,
Të dashur qytetarë,
Mirëmëngjesi e mirëseerdhët në këtë mbledhje të Qeverisë e cila është e veçantë, sepse shënon hapjen e kësaj dite festive. Simbolikisht kemi zgjedhur të hapim këtë ditë jo me ceremoni, por me mbledhje, sepse dëshirojmë të përcjellim mesazhin se puna e festa për Republikën tonë duhet të shkojnë gjithmonë bashkë. Pavarësia jonë u arrit përmes luftës dhe sakrificës, por pavarësia jonë do të rritet vetëm përmes punës. Jo përmes rrugëve të shkurtra që premtohen nga njerëz joseriozë, por vetëm përmes punës dhe sakrificës, e cila i karakterizon njerëzit e mirë të Kosovës, gratë e burrat që punojnë përditë për veten e tyre, për familjet e tyre, për shoqërinë tonë, për ekonominë tonë. Ata punojnë këtu, por shpesh punojnë edhe jashtë vendit, ku kushtet janë më të mira dhe shpërblehen për punën e tyre. E në këtë festë të pesëmbëdhjetë vjetorit të Pavarësisë, duhet t’ia përkujtojmë vetes e njëri-tjetrit se detyra jonë kryesore është që, kur të vijë njëzet vjetori, të jenë shtuar e shumëfishuar arsyet që të rejat e të rinjtë tanë të mund të zgjedhin edhe Kosovën për një të ardhme profesionale të plotë e për një jetë të mirë.
Të dashur qytetarë, që po na ndiqni përmes mjeteve të komunikimit publik, kjo është festa juaj. Kosova është një shembull i demokracisë në këtë rajon problematik si Ballkani, vetëm si meritë e juaja. Jeni ju ata që nuk keni lejuar dhe nuk do të lejoni që në Kosovë të mbetet i padënuar abuzimi me pushtetin. Prandaj jeni ju që e meritoni urimin dhe njëkohësisht falënderimin më të përzemërt për 15 vjetorin e kësaj demokracie. Nëse në vendet e tjera institucionet japin model, dhe qytetarët përpiqen ta ndjekin atë model, te Kosova jonë modelin e japin qytetarët, dhe ne institucionet jemi ato që duhet të bëjmë përpjekje për të ecur pas tyre.
Pavarësia jonë është rezultat i historisë shekullore të Kosovës, si vend ku gjithmonë kanë jetuar krah për krah me shumicën shqiptare dhe në bashkëpunim me të, komunitete të feve dhe gjuhëve të ndryshme.
Ne e dimë mirë ç’është bashkëjetesa, madje kemi histori të gjatë bashkëjetese të suksesshme – të cilën e kanë dëmtuar vetëm ata që dëshirojnë të dominojnë, të sundojnë, t’i mbivendosen vullnetit të shumicës për pavarësi. Sot në këtë pesëmbëdhjetë vjetor të pavarësisë është vendi të mburremi me diçka që Kosova e bën shumë mirë – dhe e kemi fjalën për të drejtat që u japim pakicave etnike. Askund në Evropë minoritetet nuk gëzojnë të drejta në çdo nivel, si këtu te ne. Na përket neve të kujdesemi që ky ekuilibër të mos prishet, me formula eksperimentuese të cilat kudo që janë provuar nuk kanë sjellë rezultate të mira.
Të nderuar anëtarë të Kabinetit Qeveritar,
Në këtë festë të pavarësisë nuk më takon të jem i ashpër me juve. Ka boll ditë të tjera të vitit, kur do të mund të zhvillojmë aktivitetin tonë të përditshëm që përfshin edhe punën edhe nxitjen, edhe kritikën edhe vetëkritikën, natyrisht edhe mbajtjen e përgjegjësisë, sepse të qenit anëtar i një qeverie do të thotë mbi të gjithat, marrjen përsipër të përgjegjësive. Meritat, siç e thashë më parë, në radhë të parë i përkasin qytetarëve tanë, punëtorëve, studentëve, biznesmenëve, njerëzve të zanateve të ndryshme, të kulturës, të sportit, të cilët me kontributin e tyre të përditshëm e bëjnë Kosovën kjo që është, një vend në përmirësim të vazhdueshëm.
Te përgjegjësitë tona duhen dalluar dy sosh. E para, të kemi parasysh gjithnjë trashëgiminë tonë, amanetet e gjeneratave që kanë dhënë gjakun e djersën për lirinë e Kosovës edhe pse nuk kanë arritur ta shijojnë atë. Çdo ditë e jona, të nderuar ministra, zëvendëskryeministra, duhet të nisë me përkujtimin e këtij amaneti. Ky amanet është i paneglizhueshëm, sepse nuk erdhëm ne këtu nga zeroja, Kosova nuk është produkt i rastësisë, por i historisë së vet. Shekuj dhimbjesh, që sot të kemi këtë gëzim.
E dyta, duhet të kemi gjithnjë parasysh të rinjtë, fëmijët e edhe ata të cilët nuk kanë lindur ende, e të cilëve ne duhet t’u lëmë patjetër një Kosovë më të mirë se sa ajo që e kemi gjetur. Mjedisin duhet t’ua lëmë më të pastër e më të gjelbër nga ai që gjetëm, ekonominë më të pasur e më të drejtë, drejtësinë më funksionale, infrastrukturën më moderne, shëndetësinë më të pajisur dhe arsimin më të fortë. Një Kosovë ku udhëheq ligji, e jo njeriu, një Kosovë me rend për qytetarët e me ndëshkim për kriminelët. Këto ishin ambiciet tona në fillim, por këto duhet të jenë ambiciet tona përditë.
Nuk dëshiroj ta zgjas shumë sot, sepse na pret një ditë e gjatë, plot ceremoni e festa, patjetër edhe fjalime. Dëshiroj ta përmbyll këtë fjalë timen me tre citime nga tre personalitete të historisë sonë:
Shotë Galica thoshte “Një jetë pa dije është si një luftë pa armë”. Detyra juaj është që Kosovën të mos e lini pa njërën e as pa tjetrën.
Tringë Smajli thoshte “Mos ia drejtoni armët njëri-tjetrit, por vetëm armikut të përbashkët”. Mbajeni parasysh këtë përditë, që të mos e ngatërrojmë debatin tonë të brendshëm e demokratik, me polarizimet e përçarjet armiqësore me njëri-tjetrin.
E së fundmi, mos e harroni që Nëna Terezë thoshte “Paqja fillon me një buzëqeshje”. Le të jemi ne ata që buzëqeshim, e që mbajmë të hapur derën e bashkëbisedimit. Kosova është projekt i paqes, kontribuese në paqe, dhe garanci për paqe. Në këtë kohë kur lufta e preku kontinentin tonë, Kosova e cila sot feston pesëmbëdhjetë vjetorin e pavarësisë, e ka treguar se pa asnjë interes vetjak, i mbështet vendet që dëshirojnë paqe e liri përkundër pushtuesve. Kjo gjithashtu duhet të na bëjë krenarë të gjithëve e secilit.
Edhe një herë të nderuar kolegë: Gëzuar festën e Pavarësisë së Kosovës! I falënderohemi të gjithë atyre që kanë kontribuar për çlirimin e vendit e për shpalljen e pavarësisë.
Republikë për pesëmbëdhjetë vjet, Republikë Përjetë!