Palët u pajtuan që gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve të fillojë më 3 prill

Ekipet e mbrojtjes dhe prokuroria kanë bërë të ditur se janë pajtuar që të fillohet me gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, më datën 3 prill, por se i mbetet trupit gjykues të vendosë lidhur me këtë.

Geoffrey Roberts, avokat i Rexhep Selimit, tha se e kuptojnë që është kompetencë e trupit gjykues të caktojë ditën e nisjes së procesit gjyqësor, por se me Prokurorinë kanë biseduar dhe se janë pajtuar të fillojnë më 3 prill me deklaratat hapëse dhe pastaj të vazhdojnë me dëshmitarin e parë dhe nuk do të kenë asnjë hapësire mes dëshmitarit të parë dhe deklaratave hapëse.

Ai tha se kanë biseduar edhe me Simon Laws, mbrojtës i viktimave dhe se ai nuk ka pasur kundërshtim që të fillohet me datën 3 prill, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Megjithatë e kuptojmë që marsi nuk do të ketë mbase një jave prapë pushim dhe mendojmë që në fillim fare të merremi me pjesën shkresore se të vijojmë më tej me atë gojore të procesit gjyqësor”, u tha nga Roberts.

Sipas tyre, me prokurorinë kanë munduar të arrijnë në marrëveshje dhe i falënderojnë për pranimin e tyre dhe se i takon trupit gjykues të vendos për datën e nisjes së procesit.

Nga prokuroria, respektivisht prokurori Mathew Howling, u tha se nuk është që kanë qenë 100% kundër vonesave të kësaj natyre, shpresonim të fillonte procesi në mars, por kur shikojnë kalendarët dhe kur java e fundit e marsit është e zënë për në proces tjetër gjyqësor është e natyrshme dhe nuk ka problem të fillohet me datën 3 prill.

Kur u kërkua mendimi i mbrojtësit të viktimave, përmbajtja është redaktuar, derisa më pas direkt është vazhduar me pushimin e pasdites, për të vijuar më pas sërish me konferencën për përgatitje të prokurorisë.