Ekipet e shpëtimit në Turqinë jugore, kanë thënë se janë ende duke dëgjuar zëra nga nën rrënojat më shumë se një javë pas tërmetit shkatërrues 7.8 ballë, duke sjellë shpresë për të gjetur më shumë të mbijetuar. Pamjet më lartë të marra nga CNN Turk, shfaqin shpëtimtarët duke punuar në dy zona të rajonit të Kahramanmaras, në përpjekje për të shpëtuar tre motra që besohet se kanë mbetur nën rrënoja.
Poashtu në të njejtin rajon, është bërë e ditur se të martën janë nxjerrë nga rrënoja dy vëllezër, 17-vjeçari Muhammed Enes Yeninar dhe vëllai 21-vjeçar Abdulbaki Yennir. Më tej në lindje, në qytetin Adiyaman, shpëtimtarët kanë njoftuar se e kanë nxjerrë të gjallë edhe një djalë 18-vjeçar dhe një burrë.
closevolume_off
Tetë ditë pas tërmetit dhe pasgoditjeve të tij të shumta, më shumë se 37,800 persona janë konfirmuar të vdekur në të gjithë Turqinë dhe Sirinë, ndërsa historitë e mbijetesës po bëhen të pakta.
Ndërkohë, në Siri ndërsa operacionet e shpëtimit kanë nisur përpjekjet për rimëkëmbje, punëtorët e OKB-së janë në përpjekje për të ndihmuar të mbijetuarit në Siri përmes dy pikave të reja kufitare të miratuara nga qeveria në Damask.
Vendimi i Bashar al-Assad për të hapur këto dy pika është mirëpritur nga Kombet e Bashkuara, ndërsa është bërë e ditur se ato do të qëndrojnë të hapura për të paktën tre muaj.
Në një delaratë të dhënë, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, ka thënë se dërgimi i ndihmave për “miliona njerëz të prekur është me urgjencë të madhe”.
Kujtojmë se, dërgimi i ndihmave ndërkombëtare për në zonat e kontrolluara nga rebelër të nëveri ka qenë më e ngadaltë, në mes të një situate tashmë të komplikuar nga konflikti.
Ndërkohë, nga Turqia, zëvendëspresidenti Fuat Oktay ka mohuar raportet për mungesë ushqimi dhe ndihme, ndërsa ka njoftuar se më shumë se 9,200 personel të huaj janë duke marrë pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa gjithsej deri më tani kanë ofruar ndihmë 100 vende të ndryshme.