Reformimi dhe rigjenerimit i radhëve të subjekteve politike

Mr.Ali Herrtica

Metodat e këtilla përngjajnë me masat e dikurshme famëkeqe të diferencimit dhe të leçitjes në rast të përkrahjes së “irredentës shqiptare”. Megjithë reperkusionet e pushtetit, në masë të madhe ka filluar të trimërohet rinia jonë shqiptare duke mohuar këto subjekte, qoftë duke abstenuar ose duke kërkuar të integrohet në subjektet opozitare që duket se po e gjejnë veten të këto subjekte.

Reformimi dhe rigjenerimit i radhëve të këtyre subjekteve besoj se nuk mund të bëhet më mënyra iluministe.Mendoj sa pa një lloz të Arkimedit këto subjekte nuk do të mund të rigjenerohen: e para për shkak se veteranët që janë mbushur deri në grykë nga mëkatet e korrupsionit dhe të krimit të organizuar nuk mund të lëshojnë pe aq lehtë të trashëgohen nga gjeneratat e reja pa e përgatitur dhe siguruar të ardhmen e tyre pas pensionisti, ndryshe do të duhej të ballafaqohen me drejtësinë! Së dyti psikologjia e bajraktarizmit dhe pasionit të karrierës nuk u jep komoditet të largohen lehtë nga torta e shijshme e pushtetit. Një gjë që nuk mund të shmanget është se e gjithë kjo është një proces që ecën përpara dhe nuk ndalet në vend dhe kjo nënkupton se për shkak se është veprim kërkon brenda vetes dhe në vete zhvillim të natyrshëm dialektik, lëvizje qoftë për shkak të kohës qoftë për shkak të moshës. Ndodhjet që kanë lënë gjithandej të subjektet politike shqiptare kanë bërë që rinia shqiptare të vihet në lëvizje politike me një filozofi të re politike që për klasën aktuale politike në pushtet kanë qenë tabu ose tema të paprekshme nga frika e hidhërimit të faktorit ndërkombëtar. Kjo klasë e re politike rinore nuk trembet nga këto frika hipotetike por i quan si të drejta legjitime dhe krejt të natyrshme. Së këndejmi ata nuk janë rritur nën trysninë e pushtetusit dhe sunduesit të huaj. Prandaj ata nuk janë të preokupuar me paragjykime dhe psikozën e skllavit sikur pararendësit e tyre. Pra fryma e lirë e lirisë tek kjo gjeneratë kërkon zhvillim, përparim dhe avansim jo vetëm të proceseve por edhe të jetës së përditshme. E keqja është pse rinia jonë nuk është shumë aktive dhe inicuese për shkak ndoshta edhe barrierave dhe kërcënimeve me raprezalje të pushtetit. Tash për tash kjo lëvizje po shihet në palën opozitare por nuk shihet qartë të iniciativa qytetare dhe mos të flasim të subjektet politike në pushtet. Në fund të fundit edhe kjo ditë do të vijë por pak me vonesë dhe me një të keqe.Veteranët e tyre do të përpiqen që hakërrimet e tyre t’i bartin të pasardhësit e tyre. Kjo gjë nuk i bënë mirë gjeneratës së re. Kjo gjë do ta helmonte rininë tonë e cila duhet të vijë e pastër në pushtet pa bagazhin e paraardhësve të tyre. Shpesh herë dëgjohet të thuhet “Koha e bën të veten”Patjetër,mosha i detyron njerëzit të ndahen nga veprimtaritë e tyre më të dashura. Megjithëse në karrierën politike në të shumtën e herëve mosha nuk luan rol. Por rapseprap largimi i gjeneratave e bën të veten të ndihet i vetmuar dhe vetvetiu të shtyhet për të dalë nga radha në pritje. Mendoj se një rritje kualitative e kemi parë gati të të gjitha subjektet. Kriteret e zgjedhjes së kandidatëve për deputet në zgjedhjet qëndrore bukur shumë kanë qenë në rritje, sikundër kemi vënë re edhe në zgjedhjet lokale. Kur në sipërfaqe del një kualitet me një filozofi më pragmatlike ndaj ndërtimit të demokracisë natyrisht se gjendemi në horizontin e afërt të pritjes.Pra urojmë që dita e zgjimit të gjithë rinisë të ndodhë sa më parë më mirë.

Sot nuk mund të flitet për një vetëdijësim politik për shumë arsye: qytetari është i lidhur me shumë Më nevoja jetësore Të Përditshmërisë dhe ka shumë arsye të përkrahë ose të mos përkrahë. Derisa në shtetet e perëndimit qytetarët shfletojnë dhe lexojnë me interesim të madh listën e programit që i ofrohet qytetarit dhe sa ato premtime janë të realizueshme, votuesi në europë nuk del të votojë për hatër por vetë për bindjen e tij personale. Në Kosovë me keqardhje po e them nuk kemi arritur në këtë pikë. Më shumë votohen njerëzit për shkak të sjelljeve të trimërisë që për europianët është marrëzi,çka për shembull në USA marrëzitë shpesh janë barometri që i favorizojnë kandidatët.Përkeqësimi i situatës ekonomike dhe varfërimi i skajshëm i popullsisë ka qenë arsyeja që votuesi dhe qytetari përgjithësisht t’i vejë gishtin kokës për ta kuptuar se kungullin nuk duhet t’u shkojë gjithmonë përmbi ujë atyre që nuk çajnë kokën për varfërimin e këtij populli dhe natyrisht kanë filluar të nuhatin me sensin politik për të parë edhe anën tjetër të medaljes,të atyre që zotohen së do të bëjnë ndryshimin për të mirë të qytetarit të Kosovës. Dhe pikërisht kjo ka qenë këmbana që ka ra orë e çast në përditshmërinë e tyre për t’u reshtuarr në anën e atyre që sëpaku zotohen së do ta ndryshojnë për të mirë gjendjen e jetesës për të gjithë qytetarët.

Për fat të keq tek ne akoma nuk kuptohet jeta demokratike. Tek ne ende nuk është përcaktues i shkallës së demokracisë vetë qytetari. Çdo qytetar duhet të mbajë përgjegjësi për ndërtimin ,kultivimin dhe sjelljen demokratike. Deputeti që është përfaqësues i një grupi të madh qytetarësh në vend se të dërgojë në Kuvend mesazhin dhe kërkesat e votuesit të tij ai lufton për aspiratat partiake duke harruar zgjedhësit e tij. Deputeti me të shkelur në sallën e Kuvendit bëhet argatë militant i partisë së tij dhe jo përfaqësues i popullit.Prandaj po them ende nuk ka vetëdije të qartë politike po interesa tepër të ngushta ditore që e prishë përmbajtjen e mirëfilltë të demokracisë në Kosovë.

Jeta në Kosovë është varfëruar skajshmërisht.Dinastitë mbretërore për ta garantuar sundimin e tyre të rehatshëm gjëja e parë që kanë bërë e kanë zhveshur popullin nga gjithçka që ka pasur për ta përkulur me skamja e uri,pothuaj me të njëjtat mjete që i ka praktikuar edhe pushtuesi.Oligarkët e Kosovës këtë e kanë bërë me paramendim,sa më shumë ta varfërojnë popullin aq më lehtë do ta gjunjëzojnë. Ata një gjë nuk kanë llogaritur:pavarësia nuk i jep popullit me ngrënë as veshmbathje.Ajo është vetëm një çadër që i mbledh njerëz në një mburojë në rast rrezikut.Një popull mund të gënjehet e të mashtrohen për një kohë por jo edhe për gjithë jetën.Oligarkët i besojnë fuqisë së pushtetit të dhunshëm ndaj qytetarit që nuk i bindet dhe fuqisë së parasë dhe në asnjë mënyrë votës së lirë të qytetarit dhe sistemit me vlera demokratike. Kësaj radhe siç thotë fjala e populli “paraja nuk ka kthyer ujin përpjetë” dhe nuk u ka shkuar për dore si në zgjedhjet e mëparshmo.Prandaj kësaj here votuesit i kanë bërë presion përmes kushtëzimeve të llojllojshme, kërcënimeve të tërthorta e direkte, detyrimet dhe presionet e gjithçfarshme mbi simpatizantët dhe qytetarët që kanë qenë të detyruar të jenë nën tutelen e vartësve të partizanëve ka bërë që vota e qytetarit të mos jetë e lirë dhe e vullnetshme. Subjektet politike të korruptuara në nivel kombëtar kanë arritur ta blejnë votën vetëm të ajo pjesë e qytetarëve që kanë qenë të lodhur ekonomikisht të cilëve fare s’u ka interesuar mbarëvajtja e procesit zgjedhor dhe kanë qenë fare indiferentë. Kësaj radhe blerja e votës nga pala e oligarkëve dhe mafiozëve nuk është bërë puro,por me marifete të tjera që u mbetet ta hulumtojnë studiuesit në terren. Blerja e votës ka ndodhur me marifete perfide dhe të rafinuar,që për qytetarët nuk ka qenë lehtë t’a kuptojnë.Blerja e votës në këtë rast blerja e vetë njeriut ka qenë dhe do të jetë një nga ligësi të më të mëdhaja njerëzore që mjerisht do të vazhdojë të ketë si sot edhe në të ardhmen dhe kjo nuk mund të shmanget nga njeriu tokësor.

Në demokracitë moderne nuk flitet për vetëdijen qytetare, por inkorporimin e interesave të tij brenda një platformë a programi politik.Ata që do të tregohen më të devotshëm me qytetarin do të jetë e ardhmja e tyre politike në pushtet.Qytetar i angazhuar politikisht pikësëpari vë në fokus pikëpamjet e veta që lidhen me interesat e vetvetes e pastaj e kalon në rrethin e vet e tek pastaj atë shoqërisë.Ndërsa ata të cilët janë treguar indiferentë gjithmonë do ta shesin votën e tyre sepse për ta është njësoj,cilido që të marrë pushtetin për ata nuk ndryshon asgjë,sëpaku ky është vrojtim i i tyre.Por bota për fat të mirë po ndryshon sepse vetë jeta është një zhvillim dhe një rritje që krahasimisht me të djeshmen është marramendëse.