Barcelona nis bisedimet për transferimin e sulmuesit të ri, i cili njihet si “Luis Suarez brazilian”

Luis Suarez ishte një nga sulmuesit më të mirë në historinë moderne për Barcelonën.

Në 304 ndeshje të regjistruara, uruguaiani shënoi 209 gola dhe ishte pjesë e treshes së rrezikshme, “MSN”, bashkë me Lionel Messin dhe Neymarin.

Suarez ishte padyshim i suksesshëm te Barça dhe drejtuesit e klubit tani raportohet se janë në proces negociatash për të sjellë një lojtar të ngjashëm me 36-vjeçarin.
Sipas “Sport, zyrtarët e klubit katalunas kanë filluar negociatat me Athletico Paranaense për një transferim të Vitor Roque në verë, i cili ndryshe njihet edhe si “Luis Suarez brazilian”.

Barcelona thuhet se ka ndjekur Roquen për muaj të tërë. Ai aktualisht po luan për Brazilin në turneun “U20 Sudamericano” në Kolumbi.

Real Madridi ka qenë i lidhur me 17-vjeçarin në të kaluarën, por janë rivalët e tyre ata që janë tani favoritët për të siguruar shërbimet e tij.

Situata financiare e Barcelonës ka të ngjarë t’i vështirësojë negociatat me klubin brazilian, por ata janë të vendosur të nënshkruajnë me një nga talentet më të ndritur në Amerikën e Jugut.

Vitor Roque me Athletico-PR ka kontratë të vlefshme deri në vitin 2027. Sipas “Transfermarkt”, ai momentalisht në tregun e transferimeve vlerësohet me 11 milionë euro.