Galtier hedh poshtë spekulimet për Skriniarin, thotë se prioritet i PSG-së është transferimi i një sulmuesi
Christophe Galtier ka hedhur poshtë zërat që lidhin Paris Saint-Germainin me transferimin e Milan Skriniarit.
Qendërmbrojtësi sllovak ka refuzuar kontratën e re të ofruar nga Interit, teksa u raportua se ai është objektivi kryesor i parisienëve.
Megjithatë, Galtier ka deklaruar se skuadra e tij ka nevojë të përforcohet me një sulmues anësor.
“Nuk kam folur kurrë për përforcime në mbrojtje, ne jemi në kërkim të një anësori sulmues”, tha trajneri i PSG-së.
“Ne kemi shitur një sulmues [Pablo Sarabia], kështu që po kërkojmë dikë në të njëjtin rol. Ne kemi shitur një sulmues anësor dhe nuk kam përmendur kurrë përforcime në mbrojtje”, shtoi Galtier.
Deklarata e tij duket disi befasuese duke pasur parasysh se vetëm pak ditë më parë, ai pretendoi se “nuk e dinte nëse Skriniar do t’i bashkohej PSG-së në janar apo pas përfundimit të sezonit”, ka shkruar “La Gazzeta dello Sport”.
Skriniar mund të largohet në verë si futbollist i lirë nga Interi, pasi skadon edhe kontrata e tij.
Interi thuhet se nuk dëshiron ta shesë 27-vjeçar për një çmim të ulët në këtë afat kalimtar dimëror dhe se është i gatshëm ta mbajë atë në klub deri në skadimin e kontratës së tij, më 30 qershor, veçanërisht duke pasur parasysh që kampionët në fuqi të Francës nuk do të ofrojnë më shumë se 10 milionë euro në afatin e këtij muaji.