Barcelona është e gatshme për t’ia ofruar rivalëve Torresin, pasi synon transferimin e yllit të tyre

Barcelona raportohet se do të ofrojë Ferran Torresin si pjesë të marrëveshjes për të transferuar Yannick Carrascon.

Spanjolli nuk po bind trajnerin Xavi dhe kësisoj besohet se mund të largohet lehtësisht nga “Camp Nou”.

Sipas “Sport”, Barcelona është e gatshme ta përdorë Torresin në çdo marrëveshje të mundshme për transferimin e Carrascos nga Atletico Madridi.

Yannick Carrasco
Trajneri i skuadrës nga kryeqyteti spanjoll, Diego Simenone, thuhet se kishte pyetur për Torresin edhe gjatë negociatave të transferimit të Memphis Depayt.

Në rast se nuk arrihet ndonjë marrëveshje, mediumi spanjoll shkroi gjithashtu se Xavi mund t’i jap edhe një shans 22-vjeçarit për t’u dëshmuar.

Në anën tjetër, Carrasco mendohet se e pëlqen idenë për t’iu bashkuar katalunasve. 29-vjeçari me Atletico Madridin ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2024.

Ndërsa, Ferran Torres me Barcelonën ka kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2027.