Vdes Lisa Marie Presley, e bija e legjendës së rock-ut

Lisa Marie Presley, vajza e vetme e legjendës të rock’n’roll-it, ka vdekur në moshën 54 vjeçare, njofton nëna e saj.

“Me zemër të rënduar që duhet të jap lajmin e hidhur që vajza ime e bukur Lisa Marie na ka lënë”, thotë Prischilla Presley.

Lisa Marie, po ashtu këngëtare, u dërgua me emergjencë në spital të enjten, ndërkohë që mediat raportojnë se ka pasur arrest kardiak, raporton BBC, përcjell Klankosova.tv.

“Ajo ishte gruaja më e fuqishme, e dashur dhe pasionante që kam njohur. Kërkojmë privatësi në kohën kur po ballafaqohemi me humbjen e madhe“, thotë nëna Priscilla në deklaratën e saj, pa dhënë detaje për shkakun e mundshëm të vdekjes.

Duke cituar një burim të afërt me Lisa Marie Presley, TMZ raportoi se ylli u gjet pa shenja jete në dhomën e saj të gjumit të enjten në mëngjes. Pothuajse në të njëjtën kohë, ish-bashkëshorti i saj Danny Keough, i cili gjithashtu jeton aty i dha ndihmën e parë. Emergjenca arriti pas pak dhe e dërguan në spital, por pa pasur mundësi ta shpëtojnë.