Vedat Muriqi ka dhënë një intervistë të gjatë e të detajuar për prestigjozen spanjolle “Marca”.
Vedat Muriqi foli gjatë, ku ai ceku pjesën e karrierës së tij, por edhe periudhën e fëmijërisë. Ai ka treguar se ka qenë nëna e tij ajo që e ka shtyrë drejt futbollit, teksa tha se nuk e kishte imagjinuar kurrë se mund të arrinte kaq larg me futbollin.
“Pas luftës, ekipi nga qyteti im njoftoi se do të merrnin fëmijët të luanin dhe të stërviteshin. Nëna ime, e cila e pëlqen shumë futbollin, më shtyu të shkoja në stërvitje edhe pse ishte shumë larg shtëpisë tonë.
Asnjëherë në jetën time nuk kam menduar se mund të bëhesha një lojtar profesionist. As nuk e imagjinoja të shkoja në Turqi, të shënoja gola, të shkoja në Serie A. Nuk mund ta imagjinoja kurrë sepse ishte shumë e vështirë të dilje prej andej. Në fund ia dola falë mentalitetit, punës dhe fatit”, tha Muriqi, sulmuesi i Mallorca.