Vedat Muriqi është bërë objektiv i skuadrave të njohura spanjolle, por edhe të atyre angleze.
Sulmuesi kosovar po shkëlqen në fanellën e Mallorcës, me të cilën e nisi me këmbë të mbarë vitin 2023 me një gol dhe një asistim në Kupën e Spanjës.
Përfaqësuesi kosovar i ka realizuar 13 gola në 18 ndeshje deri tash me klubin ishullor spanjoll, ku ishte transferuar nga Lazio gjatë verës së kaluar, ndërsa në gjysmën e parë të vitit luajti në formë huazimi.
Sipas portalit “Fichajes”, përcjell “Gazeta Express”, Atletico Madridi është mjaft i interesuar për shërbimet e 28 vjeçarit.
Trajneri Diago Simeone e do sulmuesin e rrezikshëm dhe shtatlartë nga sezoni i ardhshëm.
Gjithnjë sipas mediumit spanjoll, “Los Colchoneros” janë të gatshëm t’i paguajnë 15 milionë euro për kartonin e “Piratit” në verën që vjen.
Nga ana tjetër, klubi aktual për prizrenasin i kërkon së paku 20 milionë euro.
E në ndërkohë, Muriqi synon ta ndihmojë Mallorcën në arritjen e objektivave këtë edicion.