Irani liron nga burgu yllin e filmit ‘The Salesman’, aktoren Taraneh Alidoost
Irani liroi nga burgu një aktore të njohur, e cila ka luajtur në një film fitues të çmimit Oscar.
Vendimi erdhi rreth tre javë pasi ajo u burgos për shkak të kritikave kundër shtypjes së protestave antiqeveritare, njoftuan mediat lokale.
Agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve ISNA tha se 38-vjeçarja Taraneh Alidoosti, ylli i filmit “The Salesman” me regjisor Asghar Farhadi, u lirua me kusht.
Njoftimi për lirimin e saj u bë fillimisht e ditur nga nëna e saj, Nadere Hakimelahi, përmes një postimi në rrjetin social, “Instagram”.
Taraneh Alidoosti, u lirua nga burgu famëkeq Evin në Teheran. Pasi doli nga burgu zonja Alidoosti pozoi me lule mes miqve të saj. Autoritetet nuk dhanë detaje të tjera mbi këtë çështje.
Aktorja ishte një prej personaliteteve të famshëm iraniane që shprehën hapur mbështetjen e tyre për protestat mbarëkombëtare. Po ashtu ndër të parat që kritikuan shtypjen e dhunshme të autoriteteve ndaj demonstratave.
Ajo kishte publikuar të paktën tre mesazhe në mbështetje të protestave në “Instagram” përpara se llogaria e saj të çaktivizohej.
Protestat në Iran u nxitën nga vdekja e një gruaje në paraburgim policor dhe që janë përshkallëzuar në thirrje të gjera për përmbysjen e klerikëve në pushtet, në Iran.
Një nga mesazhet e aktores shprehte solidaritet me një person që më vonë do të ekzekutohej mbi akuza të lidhura me protestat.
Protestat shënojnë një nga sfidat më të mëdha për Republikën Islamike që nga themelimi i saj pas revolucionit të vitit 1979.
Sipas grupeve të të drejtave të njeriut, forcat e sigurisë kanë përdorur fishekë të vërtetë, gaz lotsjellës dhe shkopinj gome për të shpërndarë protestuesit.
Mohsen Shekari u ekzekutua më 9 dhjetor pasi u akuzua nga një gjykatë iraniane për bllokimin e një rruge në Teheran dhe se kishte sulmuar me hanxhar një punonjës të forcave të sigurisë.
Një javë më vonë, Irani ekzekutoi me varje publike një të burgosur të dytë, Majidreza Rahnavard.
Ai u akuzua për vrasjen me thikë të dy punonjësve të policisë paraushtarake “Basij”, e cila është vënë në krye të përpjekjeve për shtypjen e protestave.
Aktivistët thonë se më shumë se 10 persona janë dënuar me vdekje gjatë proceseve gjyqësore të zhvilluara me dyer të mbyllura. Krejt kjo për shkak të mbi akuzave të lidhura me protestat.
“Emri i tij ishte Mohsen Shekari”, shkruante zonja Alidoosti në “Instagram”, për rreth 8 milionë ndjekësit e saj, para se të arrestohej.
“Është një turp për çdo organizatë ndërkombëtare që po sheh këtë gjakderdhje dhe nuk po merr masa”.
Të paktën 516 protestues janë vrarë dhe mbi 19,000 njerëz janë arrestuar, sipas Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut në Iran, një grup që ka monitoruar nga afër trazirat.
Autoritetet iraniane nuk kanë dhënë një numër zyrtar të të vrarëve apo të arrestuarve.
Hengameh Ghaziani dhe Katayoun Riahi, dy aktore të tjera të famshme iraniane, u arrestuan në nëntor për shprehje të solidaritetit me protestuesit, në rrjetet sociale.
Voria Ghafouri, një yll iranian i futbollit, u arrestua po atë muaj për “fyerje të ekipit kombëtar të futbollit dhe propagandë kundër qeverisë”.
Të treja janë liruar tashmë nga autoritetet.
Protestat filluan në mesin e shtatorit, kur 22-vjeçarja Mahsa Amini vdiq në paraburgim. Ajo ishte arrestua nga policia morale e Iranit për shkeljen të kodit të rreptë të veshjes së Republikës Islamike.
Gratë kanë luajtur një rol udhëheqës në protesta, ku shumë prej tyre kanë hequr publikisht shaminë e detyrueshme islame, të kokës, e njohur si hixhabi.
Protestuesit thonë se duhet t’i jepet fund represionit politik dhe social që po zgjat me dekada.
Një nga sloganet kryesore ka qenë “Vdekje diktatorit”, duke iu referuar udhëheqësit suprem 83-vjeçar të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, i cili ka mbajtur postin më të lartë të vendit për më shumë se tre dekada.
Zyrtarët iranianë fajësojnë për protestat SHBA-të dhe fuqitë e tjera të huaja.
Mediat e lidhura me shtetin kanë vënë theksin tek sulmet ndaj forcave të sigurisë, ndërsa autoritetet kanë vendosur kufizime të ashpra në mbulimin mediatik të demonstratave, përfshirë ndërprerjen e kohë pas kohe të internetit.
Udhëheqësi iranian, Khamenei, i cili ka folur pak për protestat, gjatë një takimi me gratë të mërkurën tha se hixhabi është i nevojshëm, por shtoi se ata që nuk “e respektojnë plotësisht” atë “nuk duhet të akuzohen se janë jofetarë ose kundër revolucionit”.
Edhe para protestave, shumë gra iraniane nuk e mbanin shaminë të lidhur në mënyrën se si iu kërkohet me ligj, dhe me raste, autoritetet e lehtësuan zbatimin e kësaj politike.
Kjo ndodhi veçanërisht gjatë presidencës së Hassan Rouhanit, një politikan relativisht i moderuar i cili qeverisi nga viti 2013 deri në vitin 2021.
Pasardhësi i tij, i linjës së ashpër, Ebrahim Raisi, rifuqizoi kufizimet rreth veshjes së grave.
Aktorja iraniane, Alidoosti ka kritikuar qeverinë iraniane dhe forcat policore të vendit edhe përpara protestave të këtij viti.
Në qershor 2020, ajo u dënua me pesë muaj burg pasi më 2018 kritikoi policinë në rrjetin social, “Twitter” lidhur me sulmin ndaj një gruaje që kishte hequr shaminë.
Aktorja njihet edhe për rolet e saj edhe në filma të tjerë të njohur si “The Beautiful City” and “About Elly”. /VOA