Gjykata Themelore e Prizrenit ka lënë në burg Dibran Hoxhën ose siç njihet ndryshe “King Kobra” pasi akuzohet për vrasjen e kuksianit Visart Cengu dhe plagosjen e shokut të tij Rufgen Shehu.
Hoxha dhe të akuzuarit e tjerë për ngjarjen e rëndë që ndodhi në një lokal në Prizren janë lënë në paraburgim me afat 30 ditor. “King Kobra” akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe manipulimi i provave.
Në burg kanë mbetur Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi.
Kujtojmë se viktima Visart Cengu, së bashku me të plagosurin, Rufgen Shehu dhe shokun e tyre Arben Basha janë konfliktuar fizikisht me Dibran Hoxhën. Më pas sherri ka agravuar në përdorimin e armëve. Teksa tre kuksianët po largoheshin me makinë janë qëlluar me armë. Plumbat kanë prekur dy prej tyre dhe më pas ata janë nisur drejt spitalit të Kukësit, por Cengu fatkeqësisht ndërroi jetë rrugës.