Messi publikon një video emocionuese të udhëtimit të tij për t’u bërë kampion i botës, shkruan edhe për Maradonan

Argjentinasit po vazhdojnë të festojnë, dy ditë pasi kombëtarja e këtij vendi e fitoi trofeun e çmueshëm të Kupës së Botës në Katar.

Përveç festës, nuk po mungojnë as reagimet e shumta në rrjetet sociale.

Një të tillë e ka bërë sërish Lionel Messi, ylli kryesor i Argjentinës dhe njëri prej më meritorëve për këtë triumf.
35-vjeçari ka publikuar një video emocionuese në llogarinë e tij në “Facebook”, teksa ia ka bashkangjitur edhe një letër emocionuese gjithashtu.

Mes tjerash, shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” e përmendi edhe legjendën, Diego Armando Maradonan, duke shkruar se “kjo kupë është edhe e tij”.

Postimi i plotë nga Messi:

“Nga Grandoli deri në Kupën e Botës në Katar, kaluan pothuajse 30 vjet. Kanë qenë gati tri dekada gjatë së cilave topi më dha shumë gëzim dhe gjithashtu pak trishtim. Gjithmonë e kam pasur ëndërr për të qenë kampion bote dhe nuk doja të ndalja së provuari edhe duke e ditur se kjo mund të mos ndodhte kurrë. Kjo Kupë që fituam është edhe për të gjithë ata që nuk e arritën në Botërorët e mëparshëm që luajtëm, si në vitin 2014 në Brazil, ku të gjithë e merituan, sepse luftuan deri në finale, punuan shumë dhe e donin aq shumë, siç bëra unë… Dhe e meritonim edhe atë finale të mallkuar. Është gjithashtu Kupa e Diegos, që na inkurajoi nga parajsa. Dhe e gjithë atyre që e kanë mbështetur gjithmonë Kombëtaren, pa parë aq shumë rezultatin, por dëshirën tonë, edhe kur gjërat nuk shkonin ashtu siç donim. Dhe sigurisht dhe i gjithë këtij grupi të bukur që u formua dhe i stafit stërvitor dhe i të gjithë njerëzve të kombëtares, që, duke qenë anonimë, punojnë ditë e natë për ta bërë më të lehtë për ne. Shumë herë dështimi është pjesë e rrugëtimit dhe e të mësuarit dhe pa zhgënjim është e pamundur që të vijë suksesi. Faleminderit shumë nga zemra! Forca Argjentinë!!!”.

 

VIDEO KETU: