“Kam bërë përpjekjet dhe gabimet e nevojshme për të qenë këtu ku jam sot dhe jam krenar për këtë! Kam shkruar historinë time dhe e jona po merr fund”.
Me këto fjalë, duke e shoqëruar me fanellën e përfaqësueses franceze, Karim Benzema i ka dhënë zyrtarisht lamtumirën kombëtares. Në fund të një fundjave polemikash që e përfshinë me trajnerin Didier Deschamps, Benzema i jep fund eksperiencës me kombëtaren nënkampione të Botës. Sulmuesi u dëmtua pak para fillimit të Katar 2022 dhe, pavarësisht se ishte rikuperuar, Deschamps kishte vendosur të merrte Giroud, për t’i mbyllur kështu dyert e Kupës së Botës fituesit të Topin të Artë.
Benzema padyshim që nuk e mori mirë dhe ishte rikthyer në stërvitje me Real Madridin pa shkuar në Doha për të marrë pjesë në finale dhe gjithashtu duke injoruar ftesën e presidentit Macron, i cili do të donte ta shihte atë në stadium. Trajneri iu përgjigj keq atyre që e pyetën për aferën ‘Benzema’ në prag të finales së botës, duke bërë të qartë nisjen e polemikave mes tyre. Lamtumira e radhës për Benzema nga kombëtarja franceze, pasi qëndroi shumë gjatë larg saj për shkak të skandalit seksual, ku i përfshirë ishte edhe mesfushori Valbuena. Nga viti 2007 deri në 2022, francezi luajti në 97 ndeshje dhe shënoi 37 gola.