“Jemi ne kundër tërë botës”

Emiliano Martinez ka thënë se “të gjithë” kanë dashur që Argjentina të humbet gjatë rrugës së tyre për në finale të Botërorit

Portieri ka qenë krucial në udhëtimin e Argjentinës gjatë turneut të Katarit, sidomos kur priti dy penallti në fitoren me penallti kundër Holandës.

Martinez ishte në një formë solide edhe në fitoren e tyre 3-0 në gjysmëfinale me Kroacinë, e cila siguroi që Albicleste të kenë mundësi që të luftojnë për titullin të dielën. Argjentina është përmirësuar dukshëm prej humbjes në ndeshjen e parë me rezultat 2-1 kundër Arabisë Saudite dhe martinez beson që ajo humbje bëri që futbollistët e saj të luftojnë shumë dhe t’i tregojnë kritikëve së e kanë gabim.
“Nuk mund ta besoj shokë. Ne humbëm ndeshjen e parë. Papritur gjithçka u përmbys. Njerëzit dyshonin tek ne pasi që u mposhtëm pas 36 ndeshjeve”, tha portieri i Aston Villas për beIN Sports pas ndeshjes me Kroacinë.

“Kundër Meksikës, pjesa e parë ishte paksa e dobët. Të gjithë dëshironin që ne të humnim, kështu që për ne e tërë bota ishte kundër. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij grupi të futbollistëve që jemi luftëtarë dhe pas neve qëndrojnë 45 milionë argjentinas”.

Martinez po ashtu ka hequr dyshimet se kapiteni i Argjentinës, Messi ka pësuar një lëndim dhe siguroi që kapiteni është gati për të luajtur në finale. “Jo, jo (ai nuk është i lënduar). Ne kemi luajtur 120 minuta kundër Holandës, ishte një ndeshje e vështirë por e keni parë që ai dëshironte ta përfundonte ndeshjen”, tha ai. “Fizikisht është shumë mirë dhe është lojtari më i mirë i ndeshjes në të gjitha ato që kemi luajtur deri me tani”.

Pas fitores së tyre të bindshme kundër Kroacisë, Argjentina tani do të fillojë përgatitjet për finale ku do të luajë kundër Francës apo Marokut në stadiumin Lusail më 18 dhjetor.