VIDEO/ Tensionet në veri të Kosovës, ushtarët e KFOR-it i afrohen barrikadave, pyesin serbët se kush po i drejton

KFOR-i, misioni i bllokut perëndimor ushtarak, NATO-s, po vazhdon ta monitorojë situatën në veri të Kosovës.

Të mërkurën disa pjesëtarë të kontigjentit britanik të KFOR-it u afruan afër një barrikade. Aty ishin mbledhur një numër i konsiderueshëm i serbëve dhe ushtarët britanikë vendosën të flisnin pak me ta.

Ata i pyetën serbët nëse gjithçka është në rregull dhe kush i drejton barrikadat, raporton media serbe.

Një nga serbët, i cili fliste anglisht, iu përgjigj duke thënë se për këtë ata duhej të flisnin me përfaqësuesit politikë të këtij komuniteti.

Ushtarët britanikë i pyetën serbët nëse ishin të lumtur, dhe ata u përgjigjën pozitivisht. Për këtë, ushtarët e KFOR-it thanë se edhe ata janë të lumtur nëse serbët janë të lumtur.