Dalic: Urime Argjentinës për fitoren, tani kokën lart dhe luftojmë për vendin e tretë

Zlatko Dalic është deklaruar pas humbjes së Kroacisë nga Argjentina në Kupën e Botës “Katar 2022”.

Kombëtarja kroate u mposht me rezultatin 3:0, me argjentinasit që siguruan kështu kalimin për në finalen e madhe të këtij turneu

Ndërkohë, Kroacia do të luajë për medaljen e bronztë ose vendin e tretë, të shtunën, me humbësin nga ndeshja e nesërme mes Francës e Marokut.

“Së pari, urime Argjentinës për fitoren dhe për arritjen në finale. Gjithçka që duhet të bëjmë është të bashkohemi, të mbajmë kokën lart dhe të luftojmë për vendin e tretë”, tha Dalic për “HRT” pas ndeshjes.
“Ne luajtëm mirë për gjysmë ore, duke kontrolluar topin. Ndonjëherë fati ju favorizon, ndonjëherë jo. Nuk kemi shumë për t’u ankuar, le të vazhdojmë”, shtoi ai.

Tutje, përzgjedhësi i Kroacisë foli edhe për penalltinë e akorduar për Argjentinën.

“Djemtë protestuan se nuk na u dha korner, pranuam gol nga ai aksion. Por çfarë do të bëjmë, nuk mund të ankohemi. Nuk kam asgjë për të fajësuar djemtë, tani duhet të ngremë kokën dhe të përgatitemi për lojën që na pret”, u shpreh ai.

Derisa, në pyetjen se çfarë nuk shkoi te Kroacia, Dalic tha: “Kishim situata të mira, topi shkoi në krahë, por nuk ishim konkretë në sulm. Na mungon një sulmues i vërtetë, klasik, për të depërtuar në krah, për të pasur një zgjidhje më të mirë. Ne e dimë se si jemi dhe kaq”.