“Ne do të japim jetën që këtë Botëror ta fitoj Modriçi”

Kroacia përgatitet për ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Botës ku pas eliminimit të Brazilit, ballkanasit synojnë të përsërisin surprizën edhe ndaj Argjentinës së Lionel Mesit. Të udhëhequr nga Luka Modriç, skuadra e trajnerit Zlatko Daliçit ka përpara një “malore”, megjithatë kroatët kanë provuar të paktën në këto dy Botërorë të fundit se nuk dorëzohen kurrë, aq më tepër kur janë sërish kaq pranë një finaleje.

Një nga liderët e skuadrës, Ivan Perishiç iu bën thirrje shokëve të ekipit të vijojnë luftën e tyre në Katar edhe për shkak të Modriçit, që sipas anësorit e meriton triumfin në Kupën e Botës.

“Kristiano nuk ia doli, Mesi ende po përpiqet, por ne do të japim jetën që këtë Botëror ta fitoj Modriçi. Argjentina është një skuadër e madhe dhe aty nuk është vetëm Mesi. Por, sigurisht Leo është i madh, lojtari i tyre më i mirë, do të hasim vështirësi për ta ndalur atë. Megjithatë, ne jemi të përgatitur dhe në fushë do të japim gjithçka, shpresoj që të bëjmë ndeshjen më të mirë të turneut dhe shpresoj të jetë mjaftueshëm për të prekur finalen”, tha Perishiç.