700 ekipe sportive shkollore performojnë në stadiumin “Air Albania”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në ceremoninë festive në stadiumin “Air Albania”, ku u prezantuan 700 ekipet sportive shkollore, në basketboll dhe volejboll, me nxënës nga e gjithë Shqipëria.

Duke përshëndetur çdo nxwnës që ishte sot i pranishëm në këtë ceremoni, Veliaj tha se nuk mnd të kishte një mënyrë më të bukur për të mbyllur vitin si Tirana ‘Kryeqyteti Europian i Rinisë’, sesa me një aktivitet sportiv.

“Ju falenderoj nga zemra dhe mezi pres që vitin tjetër kur Tirana është Qyteti Europian i Sportit, bashkë Fidelin, bashkë me Evisin, me Unicef-in me Borën dhe kryeministrin Edi Rama të kemi vitin më të bukur për çunat dhe gocat e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Ky është stadiumi jonë kombëtar. Mbushet plot kur loz kombëtarja. Sot çunat dhe gocat e Shqipërisë janë kombëtarja jonë e re. Bravo ju qoftë, ju lumtë dhe forca përpara,” u shpreh Veliaj.

Edhe Kryeministri Rama tha se në këtë stadium fjala më e bukur që mund të thuhet është fjala “Shqipëri”. “Në këtë lëvizje të madhe sportive, e cila sapo ka nisur, me siguri do të dalin edhe ata kampionë që do të ngrenë lart flamurin e Shqipërisë, do të dalin edhe ata që do të nderojnë jo vetëm veten, jo vetëm prindërit, por mbarë kombin shqiptar,” tha ai.

“Unë kam qenë shpesh këtu, por entuziazëm si sot nuk kam parë asnjëherë. Sot jemi këtu për të prezantuar projektin më të madh sportiv në shkolla. Projektin me ekipet sportive që masivizon sportin në shkolla. Është projekti që konsolidon të gjitha reformat që kemi ndërmarrë këto vite sa i takon sportit në shkolla,” tha ministrja Kushi.

“Ne mendojmë që me këtë projekt do të gjallërojë të gjitha bashkitë e vendit me jetën sportive. Është një projekt që do i vijë në ndihmë familjeve shqiptare që nuk do paguajnë asnjë lekë për të blerë uniformat. Këto janë të paguara të gjitha. I them të gjithë kryetarëve të bashkive një mesazh, merruni me sport, zhvilloni sportet në qytetet tuaja. Merrni shembull nga kryetari i bashkisë së Tiranës që ka mbledhur të gjithë elitën e sportit,” u shpreh kreu i KOKSH, Fidel Ylli.
“Ky është eventi më i mrekullueshem që unë kam qenë ndonjëherë dhe jo vetëm në Shqipëri. Në emër të UNICEF dua të falenderoj të gjithë autoirtet që janë këtu dhe më ftuan. Vazhdoni kështu dhe mos harroni: Mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë,” tha përfaqësuesi i UNICEF.

Përmes kësaj lëvizjeje sportive, për herë të parë, do zhvillohet turneu i ndeshjeve të volejbollit dhe basketbollit nëpër qarqe, ku do të mbahen 96 kampionate dhe më pas, në 2023, do zhvillohen 12 garat kombëtare.

Ekipet sportive kanë përfshirë nga i gjithë vendi më shumë se 10 mijë vajza dhe djem të që kanë formuar rreth 700 ekipe basketbolli dhe volejbolli për të dyja gjinitë, në arsimin parauniversitar dhe duke filluar nga janari do krijohen edhe ekipet me të rinjtë e universiteteve.