Presidenti Bajram Begaj i dha shtetësinë shqiptare Dua Lipës, këngëtares me origjinë shqiptare, të famshme tashmë në të gjithë botën. Presidenti Begaj priti sot artisten e mirënjohur dhe vlerësoi talentin e saj, shpirtin artistik si dhe angazhimin e saj në mbështetje të kauzave sociale.
“Është kënaqësi e veçantë që sot presim artisten e madhe Dua Lipa. Them artiste e madhe, por ajo është edhe një vajzë e thjeshtë, që krenarinë më të madhe na e ka dhënë ne, Shqipërisë, Kosovës dhe kudo ku ka shqiptarë nëpër botë. Rinia shqiptare ju ka shembull dhe ju keni treguar se ëndrrat arrihen duke punuar gjithnjë e më shumë. Ti i ke bërë të gjithë shqiptarët bashkë! Ndaj kam kënaqësinë t’ju jap shtetësinë shqiptare”, u shpreh Begaj.
Dua do të përmbyllë turneun e saj botëror “Future Nostalgia” në sheshin Skënderbej me 28 Nëntor. “Jam shumë e emocionuar t’ju lajmëroj se “Future Nostalgia” do të përmbyllet në Tiranë me 28 Nëntor. Mezi po pres t’ju shoh me 28 Nëntor, për ditën e flamurit dhe për 110 vjetorin e Pavarësisë.“, tha ajo.
Një yll i muzikës botërore tashmë, Dua Lipa lindi në Londër në 22 gusht 1995 në një familje shqiptare nga Kosova. Ajo u shkollua mes Londrës dhe Prishtinës, ku familja e saj u vendos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Talenti i lindur dhe përkushtimi për botën e muzikës dhe artit e ndihmoi të ngjiste me guxim dhe vendosmëri shkallët e karrierës artistike që në moshë të re.
Tashmë ajo numëron shumë çmime e vlerësime për kontributin e saj në muzikë dhe art, përfshi këtu edhe tre çmime Grammy. Ndjeshmëria e saj për çështjet sociale në vende të ndryshme të botës e ka angazhuar Dua Lipën pranë UNICEF-it, në mbështetje të fushatave për të drejtat e fëmijëve.
Pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019 në Shqipëri, Lipa u kërkoi adhuruesve të saj mbështetje dhe donacione si dhe organizoi një fushatë të mbledhjeve të fondeve bashkë me stilistë shqiptarë, të ardhurat e të cilës shkuan për familjet e viktimave të tërmetit.