Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Uellsi kanë ndarë pikët në ndeshjen e parë të tyre në Kupën e Botës “Katar 2022”.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Ahmad bin Ali” përfundoi me rezultatin 1:1, shkruan Gazeta Express.
Njëherësh kjo ishte ndeshja e vetme deri më tani që nuk pati fitues në këtë turne.
Timothy Weahe kaloi fillimisht ekipin e tij në epërsi në minutën e 36-të, me amerikanët që shkuan në pushim me epërsi minimale.
Megjithatë, uellsianët ia dolën të barazonin shifrat në minutën e 82-të përmes Gareth Bale, i cili shënoi nga penalltia.
Kjo ndeshje ishte e vlefshme për xhiron e parë në Grupin B. Në këtë grup prin Anglia me tri pikë, kurse ShBA-të dhe Uellsi renditen në pozitat dy dhe tre me nga një pikë. Irani është i fundit dhe pa pikë.
Në xhiron e ardhshme, Anglia do të luajë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kurse Uellsi kundër Iranit. Të dy ndeshjet do të zhvillohen më 25 nëntor.