Situata në Qarqet Lezhë dhe Shkodër është përmirësuar pasditen e sotme.
Në një njoftim për mediat Ministria e Mbrojtjes bën më dije se uji është tërhequr nga rruga nacionale, te ura e re e Bahçallëkut dhe pranë Harkut të Bërdicës, duke lejuar qarkullimin e lirë të automjeteve.
Bëhet me dije se ka prani uji në rreth 4356 ha sipërfaqe, ku tërheqja bëhet më ngadalë, por situata po monitorohet me vëmendje.
Gjithashtu Forcat e Armatosura dhe të emergjencave civile kanë ndihmuar në evakuimin e rreth 318 banorëve në qarkun e Shkodrës, të cilat janë strehuar në konvikte apo pranë të afërmve të tyre. Po ashtu janë evakuuar edhe 57 krerë bagëti.
Përmirësim të konsiderueshëm ka edhe në Lezhë, por orët në vijim mbeten sërish kritike, bazuar në parashikimet e motit për shtim të reshjeve të shiut.
Në këtë bashki zonat më të prekura janë njësitë Dajc, Blinisht, Balldren, ku po punohet për largimin e ujit nga 24 banesa, ndërsa në Durrës, Kukës, Dibër, situata është normalizuar.
Sa i përket nivelit të lumenjve, veçanërisht lumit Drin, Gjadër dhe Erzen janë në monitroim të vazhdueshëm.
Forcat e Armatosura janë në gatishmëri të plotë për çdo nevojë të banorëve të këtyre zonave dhe do të qëndrojnë në terren edhe gjatë orëve të natës.