Kosova nuk ka arritur më shumë se një barazim në miqësoren e dytë të organizuar në nëntor kundër Ishujve Faroe, duke barazuar me rezultat 1-1. Uran Bislimi (64’) shënoi një gol të bukur për Kosovën kurse rezultatin e barazoj serbi i natyralizuar për Kombëtaren e Ishujve Faroe, Stefan Radosavljevic (77’)
Pas Armenisë, ku Kosova barazoi me rezultat 2-2, të rinjtë e Alain Giresse kanë barazuar edhe sonte me rezultat 1-1 kundër Ishujve Faroe, pavarësisht se ishin më të mirë në këtë ndeshje dhe e merituan fitoren.
Gjatë pjesës së parë Kosova pati dy raste të mira për gol, një me Ermal Krasniqi goditjen e të cilit e priti portieri mysafirë dhe një me Rrudhanin goditja e të cilit përfundoi jashtë portës.
Po ashtu, Jetmir Topalli shënoi për Kosovën një gol gjatë pjesës së parë por që goli ishte shënuar nga pozita jashtëloje.
Në pjesën e dytë Kosova ka mundur të shënojë disa gola, por që humbën disa raste shumë të mira për shënim.
Megjithatë, goli i parë për Kosovën erdhi në minutën e 64-të.
Lirim Kastrati pasoi të Uran Bislimi i cili bëri një goditje të fuqishme nga e cila portieri nuk pati asnjë mundësi për ta pritur atë.
Kosova pati edhe disa mundësi të tjera për të shënuar, ku vlen për ta theksuar atë të minutës së 70-të ku Ermal Krasniqi humbi një mundësi 100 për qind për të shënuar gol me kokë.
Pas humbjes së disa rasteve, në një kundërsulm të shpejt para del serbi Stefan Radosavljevic që shënon gol për Ishujt Faroe në minutën e 77-të të ndeshjes dhe ta barazojë rezultatin.
Minutat në vijim prapë i takuan Kosovës por skuadra e Giresse nuk arriti që ta fitojë këtë ndeshje dhe në fund e përmbylli këtë vit me barazim.
Kujtojmë se Kosova do të kthehet në aksion gjatë muajit mars ku do të luan dy ndeshje, të vlefshme për kualifikime në Euro 2024 që do të mbahet në Gjermani. Më 25 mars Kosova do të luan si mysafire e Izraelit kurse më datën 28 të njëjtit muaj Kosova e pret në “Fadil Vokrri” skuadrën e Andorrës.