Lazio fiton dhe rrëmben pozitën e dytë

Lazio ka arritur fitore të rëndësishme në kuadër të xhiros së 14 të Serie A duke e mposhtur Monzan. Kjo fitore i ka dhënë skuadrës nga kryeqyteti italian vendin e dytë në Serie A. Golin e vetëm në këtë ndeshje e shënoi Romero (69’)

Lazio ka arritur një fitore tepër të vështirë në Olimpico sonte kundër Monzas për të kaluar në vendin e dytë të Serie A.

Pjesa e parë kaloi me një gol të anuluar të Monzas të cilin e shënoi Andrea Petagna me thembër. Ishte VAR që e anuloi këtë gol pasi që sulmuesi ishte në pozitë jashtëloje.
Vecino i Lazios pati një mundësi të mirë për të shënuar por goditja e tij kaloi shumë afër shtyllës së djathtë të Monzës.

Lazio ishte më e mirë në pjesën e dytë dhe arriti që të shënoi gol në minutën e 69-të. Romero përfitoi nga një rikthim i topit dhe shënoi golin që i dha Lazios tre pikë.

Fitorja i dërgon në vendin e dytë Lazion me pikë të njëjta me AC Milan që zbret në vendin e tretë.