Vuçeviq: Duhet të dialogojmë me Kosovën sepse aty është KFOR-i

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka deklaruar se ushtria serbe është e aftë dhe e trajnuar dhe se është e gatshme për çdo detyrë.

Në një intervistë për median serbe “Vecernje Novosti”, Vuçeviqi tha se Serbia nuk do luftëra, mirëpo shton se kjo nuk e bën vendin e tij të dobët.

“Ne nuk duam luftëra, nuk duam që asnjë nga fëmijët apo oficerët tanë të vuajë. Ne nuk duam të vuajnë as kombet e tjera, por thirrjet tona për bisedime e për dialog nuk do të thotë se jemi të dobët apo të papërgatitur. Thjesht mendojmë se është më mirë të dialogojmë dhe të bisedojmë, të ulemi në tavolinë në vend që të qëndrojmë në llogore”, tha ai.

“Ne nuk duam të kthehemi në vitin 1999, nuk duam luftëra dhe vuajtje. Askush nuk është duke i kërcitur armët, as duke luajtur lojëra lufte. Ne jemi të moderuar në deklaratat tona, të përgjegjshëm, por nga ana tjetër po dërgojmë një mesazh, për të gjithë se është e pamundur të arrihet një zgjidhje nëse serbët duhet të humbasin gjithçka dhe pala tjetër duhet të fitojë gjithçka, kjo nuk është një kompromis, atëherë është çështje e humbjes dhe poshtërimit të njërës palë dhe qëndrimit të hapur pranë tjetrës”, tha Vuçeviqi, transmeton Klankosova.tv.

Megjithatë, ministri serb thotë se janë të vetëdijshëm se KFOR-i është i vendosur në Kosovë prandaj konsideron se është më mirë që të dialogojnë dhe bisedojnë me Kosovën, transmeton Klankosova.tv.

“Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se ka forca të KFOR-it, në thelb të NATO-s, në Kosovë dhe Metohi, nuk po flasim vetëm për njësitë speciale të policisë dhe forcat e sigurisë së Kosovës, të cilat tani de facto po i shndërrojnë në ushtri, në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe marrëveshjes së Kumanovës, të Brukselit dhe të Washingtonit, por kujt i intereson, ata kanë agjendën e tyre dhe pavarësisht gjithçkaje që është rënë dakord, ata po e shtyjnë rrëfimin e tyre”, tha Vuçeviqi. /Klankosova.tv