Shefi tropojan që synon të ndërkombëtarizojë kuzhinën shqiptare: Dua të hap një restorant me yje Michelin


Fejsal Demiraj ka lindur në New York, por rrënjët familjare i ka nga Tropoja. Ai është rritur me ushqimet e gjyshes, nga ku ka marrë dhe indicien për t’u bërë një nga shefat më të mirë në botë. Ka punuar në restorantin “Noma” të shqiptaro-danezit, Rene Rexhepi, i vlerësuar si ndër më të mirët në botë.

Ai u largua nga Noma për t’ju përkushtuar projektit “‘Ekspedita Gastronomike Shqiptare”. Synimi i këtij projekti është dokumentimi i gastronomisë shqiptare duke u fokusuar në të gjitha vendet shqipfolëse. I ftuar në “Abc-ja e mëngjesit”, ai tregoi se si pasioni për kuzhinën nisi nga gatimet e gjyshes së tij.

“Erdha këtu pas eksperiencën time. Fillova të udhëtoj në Kosovë dhe Shqipëri për të zbuluar rrënjët e mia. Gjyshja ishte nga Hasi, gatuante lloje gjellrash, fli. Jam rritur me këto ushqime tradicionale dhe erdha këtu pas eksperiencës time profesionale për të rizbuluar dhe promovuar traditën tonë gastronomike.

Frymëzohem nga kuzhina jonë, nga niveli i diturisë që ne kemi pasur për shekuj të tërë.”, tha ai duke shtuar se ndër gatimet e para që ka bërë ka qenë fërgesa. Fejsali tha se është e rëndësishme që gatimet tradicionale shqiptare të dokumentohen dhe të kalohen brez pas brezi.

“Pjesë e misionit tim është të përdor zërin tim që kuzhina shqiptare të bëhet e famshme në të gjithë botën. Ne kemi dy elementë, e para është mënyra se si bëhen bulmetrat, kemi njohuri të mëdha për pjesën e fermentimit dhe ruajtjes së tyre. Një tjetër element është pjesa e gatimit në zjarr të hapur.

Për shembull flija është një produkt që në pamje të parë është i thjeshtë por ka nivele komplekse gatimi. Ne duhet t’i përdorim këto njohuri për të treguar se kuzhina jonë është shumë më e mirë se ajo italiane dhe franceze.”, shtoi ai.

I pyetur nga gazetari Enkel Demi nëse synon që të hapë ndonjë restorant dedikuar tërësisht ushqimeve shqiptare me yje Michelin, ai tha: “Kjo është një ëndërr e imja. Ndoshta do të jetë një restorant në të ardhmen e afërt. Nuk mund të them se ku apo kur por do të punoj.” /abcnews.al