BE-ja ka bërë thirrje për gjetje të një zgjidhje evropiane pas situatës së krijuar në veri të Kosovës. Peter Stano, zëdhënës i BE-së ka thënë se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mund të kenë ndikim negativ për gjithë rajonin. Në një konferencë për medie Stano tha se për momentin prioritet është de-eskalimi i situatës në teren. Sa i përket asociacionit të komunave me shumicë serbe, zëdhënësi i Bashkimit Evropian bëri thirrje që Kosova të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për themelimin e tij. Sipas tij, moszbatimi i këtij obligimi cenon jo vetëm parimin e sundimit të ligjit por edhe kredibilitetin e Kosovës.
“Sa herë që ka një destabilitet lokal, destabiliteti lokal eksportohet, dhe ka pasoja dhe implikime edhe në rajonin e gjerë. Ne e shohim në rastin e Rusisë dhe Ukrainës. Ka një sulm brutal ilegal ushtarak nga një vend kundër një vendi tjetër, dhe pasojat nuk kufizohen vetëm në këto dy vende, pasojat po prekin e gjithë botën. Pra, nëse kemi një pikë tjetër të ndezjes në tokën evropiane, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse nëse përshkallëzimi vazhdon, askush nuk mund të parandalojë një shpërthim të një incidenti fatkeq që mund të çojë në dhunë. Pra, nëse ka diçka që bëhet në nivel lokal ose shpërthen në nivel lokal, në mënyrë të pashmangshme do të ketë pasoja për rajonin. Kjo është diçka që Evropa nuk mund ta përballojë, Serbia dhe Kosova nuk mund ta përballojnë, rajoni nuk mund ta përballojë, dhe për këtë arsye ne po apelojmë në përgjegjësinë e liderëve në Serbi dhe Kosovë për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të ndërmarrë hapa drejt më shumë sjelljeve evropiane dhe kërkimit të një zgjidhjeje evropiane për të de-eskaluar”, tha Peter Stano, Zëdhënës i BE-së.