Romano zbulon emrin e futbollistit favorit për të zëvendësuar Piquen te Barcelona

Pasi Gerard Pique vendosi të tërhiqet nga futbolli, Barcelona synon të nënshkruajë me një tjetër qendërmbrojtës.

Gjatë verës, Jules Kounde dhe Andreas Christensen iu bashkuan katalunasve, por problemet e lëndimeve bënë që Pique të përdoret më shumë se sa që ishte planifikuar.

Lëndimet goditen Kounden, Christensenin dhe në veçanti Ronald Araujon, duke krijuar kështu shumë probleme për trajnerin Xavi.
Në rubrikën e tij ekskluzive për “Caught Offside”, eksperti i merkatos, Fabrizio Romano, konfirmoi se Barcelona do të vihet pas një qendërmbrojtësi në janar.

“Ishte emocionuese të shihje një legjendë si Gerard Pique duke i dhënë fund karrierës së tij si lojtar, por çfarë do të bëjë Barcelona për ta zëvendësuar atë?. Sigurisht që Pique ëndërron të kthehet në ‘Camp Nou’ në një rol tjetër në të ardhmen, por ai nuk ka vendosur asgjë tani, është shumë herët”, shkroi fillimisht gazetari italian.

Duke kaluar në planet e tyre të janarit, Romano tha se Barcelona ka tashmë disa emra në listë.

“Sa i përket Barcelonës, ata do të kërkojnë qendërmbrojtës të ri në janar, ata kanë emra të shumtë në listë – Inigo Martinez nga Athletic Bilbao është një prej tyre, por jo i vetmi”, shtoi ai.

Më herët është raportuar se Bilbao nuk do ta lejojë 31-vjeçarin të largohet në janar, pavarësisht se atij i skadon kontrata në fund të sezonit dhe do të mbetet lojtar i lirë në verë.

Barcelona ka qenë e lidhur edhe më herët me transferimin e spanjollit, i cili pëlqehet shumë nga Xavi.