Pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës kanë filluar të dorëzojnë dorëheqjet e tyre në stacionin Policor në veri të Mitrovicës.
Fletëdorëheqjet janë duke u dorëzuar të dielën, pasi ka përfunduar tubimi i serbëve i organizuar nga Lista Serbe në sheshin e Mitrovicës së Veriut.
Koha ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes, ku shihen policët serbë të Kosovës duke iu drejtuar stacionit policor në veri.
Arsyetimi në fletëdorëheqjet e këtyre pjesëtarëve policor tregon shkurtazi se është për arsye “personale e morale”.
“Për arsye personale dhe morale, jap dorëheqje nga Policia e Kosovës”, thuhet në arsyetim.
E nga policët është thënë se që nga e hëna nuk do të ketë më policë serbë në stacionin në Veri.
Një ditë më parë përfaqësuesit e serbëve në Kosovë kanë marrë vendim që të braktisen institucionet e Kosovës nga përfaqësuesit serbë të tyre.
Ky vendim është marrë pas suspendimit të Drejtorit të Policisë rajonale në veri, Nenad Gjuriq.