Përfaqësuesit e Listës Serbe të shtunën morën vendim që të tërhiqen nga të gjitha institucionet e Kosovës, e pas këtij vendimi ka pasur reagime të ndryshme.
Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, përmes një deklarate ka thënë se këto zhvillime “i vënë në rrezik vitet e punës së palodhur dhe arritjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe pengojnë situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë”.
Bashkimi Evropian iu ka bërë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili mund të çojë në tensione të mëtejshme.
Në lidhje me largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës, Borrelli tha se kjo nuk i zgjidh mosmarrëveshjet. Madje, sipas tij mund t’i përshkallëzojë tensionet edhe më tej.
“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale. Ajo ka potencialin për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren”, u shpreh Borrelli.
Ai u bëri thirrje Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të respektojnë obligimet e tyre të dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë ato në polici, gjyqësori dhe në administratat lokale.
Borrell gjithashtu ka bërë të ditur se zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se në biseda të ndara, Kurtit e Vuçiqit iu bë thirrje që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të çojë në tensione të mëtejshme.
Ndërkaq, zëvendës sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, ka thënë se Serbia e Kosova duhet të tregohen të përmbajtshme dhe të parandalojnë përshkallëzimin e situatës.
Këto deklarime, ai bëri pas një bisede që pati me emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
“Bisedova me Përfaqësuesin Special të BE-së, Mirsolav Lajçak për situatën e tensionuar në veri të Kosovës”, ka shkruar Geoana.
Tutje, ai tha se KFOR-i mbetet vigjilent dhe i gatshëm për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti, derisa këta të fundit kanë bërë të ditur se janë duke e monitoruar situatën dhe janë në bashkëpunim të ngushtë me liderët në Kosovë e Serbi, por edhe me ata ndërkombëtarë.
Më pas, reagim pati edhe nga i dërguari special i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, i cili ka thënë se është plotësisht dakord me Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mircea Geoana, që tha se Serbia e Kosova duhet të tregohen të përmbajtshme dhe të parandalojnë përshkallëzimin e situatës.
“Plotësisht dakord me Mircea Geoana. Mirënjohës për koordinimin e shkëlqyer të Evropës dhe NATO-s – si me udhëheqjen në nivel të shtabit, ashtu edhe me NATO-n në terren”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Pas kësaj situate të krijuar në veri të vendit, ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot,tha se është koha për të ushtruar përmbajtje dhe përgjegjësi.
Derisa ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, që është edhe zëvendëskryeministër i Italisë, tha se duhet përmbajtje dhe dialog mes Kosovës dhe Serbisë për të arritur një kompromis të drejtë.
“Tensionet në ngritje mes Serbisë dhe Kosovës janë shqetësuese. Kërkova nga ambasadorët tanë në Beograd dhe Prishtinë të bëjnë thirrje për përmbajtje dhe dialog për të arritur një kompromis të drejtë. Italia është e përkushtuar për stabilitet dhe siguri në Ballkanin Perëndimor”, shkroi Tajani në Twitter, njofton Klankosova.tv.
Pas këtyre zhvillimeve në Kosovë me Listën Serbe, ka reaguar edhe eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, duke e pyetur presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se pse çdo herë është flet vetëm për përshkallëzim dhe shkatërrim.
“Pse jeni gjithmonë për përshkallëzim dhe shkatërrim, president Vuçiq? Pse Serbia nuk tërhiqet nga të gjitha lidhjet me Putinin dhe Rusinë? Pse e kërcënoni fqinjin tuaj vazhdimisht? A nuk nxirrni absolutisht asgjë nga mësimet që i ofron historia?”, ka pyetur Mandl.
Ndërkaq, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, ka thënë se integrimi i Policisë së Kosovës dhe gjyqësorit ka qenë kaq i rëndësishëm për ruajtjen dhe forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, si dhe për mbrojtjen e interesave të komuniteteve joshumicë.
Ai deklaroi se është “i shqetësuar nga veprimet dhe deklaratat e fundit që kërcënojnë këtë integrim, i cili është një nga përfitimet më të rëndësishme nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja dhe që ka përfituar publikun e gjerë dhe të gjitha komunitetet”.
Tutje, ai u bëri thirrje të gjitha palëve që të mos lejojnë që mosmarrëveshjet për çështjet aktuale të kërcënojnë atë që është arritur në vitet e fundit.
Kujtojmë se dje pas marrjes së vendimit nga përfaqësuesit serb që të lënë detyrën në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, në takimin e thirrur nga Lista Serbe në Zveçan, dy eprorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun kanë zhveshur uniformën, si akt i parë i largimit nga institucionet, derisa ky veprim është duartrokitur nga të pranishmit.
Në këtë takim, u tha se ky vendim vlen deri në një njoftim, siç e quajtën ata, të arsyeshëm të Prishtinës për të respektuar marrëveshjet e Brukselit.
Detyrat gjatë ditës së sotme i kanë lënë edhe kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit,