Ftonte indianë në Shqipëri për “t’i punësuar” e i ndihmonte të shkonin në vende të BE-së, arrestohet 32-vjeçarja në Tiranë

Policia në Tiranë ka vënë në pranga një 32-vjeçare e cila ftonte shtetas të huaj në Shqipëri dhe më pas i ndihmonte që të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme e të shkonin në drejtim të vendeve të BE-së.

Në pranga u vu R. L., 32 vjeçe, banuese në Tiranë, si dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i saj, S. H., 50 vjeç, banues në Indi.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se 32-vjeçarja në bashkëpunim me shtetasin S. H., siguronte ftesa fiktive për shtetas të huaj, kryesisht nga India, për të ardhur në Shqipëri, me pretendimin për qëllime punësimi.

Pasi shtetasit e huaj vinin në Shqipëri, 32-vjeçarja i ndihmonte ata, kundrejt fitimit, për t’u larguar në mënyrë të jashtëligjshme nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së.

Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit B. J., 38 vjeç, T. Sh., 41 vjeç dhe Y. S., 19 vjeç, të tre banues në Indi, të cilët kanë hyrë në Shqipëri me dokumente të dyshuara të falsifikuara, me pretendimin se do të punësoheshin nga 32-vjeçarja. /abcnews.al/