Tri infermieret e dyshuara për ushtrim të dhunës ndaj një të moshuarjeje në një rezidencë private për të moshuar të quajtur “Orenda” në Pejë, kanë dalë sot para gjyqtarit të procedurës paraprae në Gjykatën Themelore në Pejë.
Pritet që gjyqtari Veton Ademaj, t’u caktojë një masë. Në fakt, kërkesa e Dorjan Junikut, prokurorit të rastit të Prokurorisë Themelore në Pejë është që ndaj tyre të caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh, raporton RTK.
Derisa familjarët e të moshuares, që bazuar në një video të shpërndarë në rrjetet sociale,ajo shihej duke u goditur nga infermieret, tashmë është larguar nga aty, familjarët e tjerë që kanë të afërm të tyre në këtë qendër, vazhdojnë të jenë të shqetësuar për zhvillimet e pakendshme aty.
Ndërkohë bëhet e ditur se Oda e Infermierëve të Kosovës, tri infermiereve të përfshira në këtë rast të rëndë, ua ka tërhequr licensat e punës.