I mbijetoi sulmit me thikë, futbollisti i Monzas publikon foton e parë nga spitali

Mbrojtësi i Monzas, Pablo Mari ka publikuar foton e parë nga spitali pasi u sulmua me thikë nga një person me probleme mendore në një qendër tregtare afër Milanos.

Mari ishte duke blerë ushqime me gruan dhe djalin e tij katërvjeçar kur Andrea Tombolini, 46 vjeç, e goditi me thikë pas shpine, duke plagosur katër të tjerë dhe duke vrarë një arkëtar 30-vjeçar.

Mari iu nënshtrua një operacioni mëngjesin e djeshëm dhe Monza njoftoi në një deklaratë zyrtare se lojtari do të duhet të pushojë për të paktën dy muaj përpara se të kthehet plotësisht në stërvitje.

Pas operacionit, lojtari në pronësi të Arsenalit ka publikuar foton e parë nga spitali, ku shihet së bashku me gruan e tij.

“Pas momentit të vështirë që përjetuam, familja ime dhe unë duam të njoftojmë se për fat jemi të gjithë mirë pavarësisht rrethanave dhe duam t’ju falënderojmë për të gjitha mesazhet e mbështetjes dhe dashurisë që po marrim. Shprehim ngushëllimet tona dhe gjithë forcën për familjet dhe miqtë e të ndjerit, ndërsa të gjithë të lënduarve u urojmë sinqerisht shërim të shpejtë”, tha Mari.