Real Madridi ka shënuar fitore me rezultat 3:1 në shtëpi ndaj Sevillas në kuadër të javës së 11-të në La Liga.
Qysh në start të ndeshjes, “Los Blancos” kaluan në epërsi, kur Modric realizoi pas një asisti të bukur nga Vinicius Junior.
Pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale të vendasve, ndërsa e dytë ishte shumë më spektakolare.
Fillimisht, Lamela barazoi shifrat në minutën e 54-të të ndeshjes.
Por, Real Madridi e tregoi fytyrën e kampionit, kur brenda dy minutave realizoi dy herë.
Fillimisht Lucas Vazquez shënoi për 2:1, kurse dy minuta më vonë, Valverde me një super gol nga distanca e vulosi fatin e këtij takimi.
Me këtë fitore, Real Madridi vazhdon të prijë në elitën e futbollit spanjoll me 31 pikë, gjashtë më shumë se Barcelona që nesër përballet me Athletic Bilbaon.