MERXHAN JAKUPI
Një nga disidentët, kritikët më të ashpër të periudhës së Bashkimit Sovjetik, ka qenë romancieri rus, Aleksandar Slozjenitsyn, i cili shkruan se të gjithë shkrimtarët rusë kanë pasur shpirt evropian. Të ndjekur nga carët rusë, shumica e tyre kanë ikur për të jetuar në Perëndim. Ata, sikundër dhe artistët, kanë jetuar dhe kanë qenë të inspiruar nga fryma e kulturës dhe identitetit evropian. Të tillë ishin Pushkini, Dostoevski, Turkinjev, Gogoli, Pasternaku e shumë të tjerë. Këta romancierë, poetë e dramaturgë rusë i kanë dhënë shumë artit dhe kulturës, por fatkeqësisht pas ardhjes së komunizmit, tokën pjellore e shndërruan në tokë të kuqe, ku rritet bari i egër. Ata kanë begatuar artin dhe kulturën ruse. Idealet, aspiratat e gjithë këtyre disidentëve ishin të luftojnë dinastinë cariste, regjimin autokrat, despotik, me qëllim që populli rus dhe Rusia të demokratizohet dhe evropianizohet si gjithë popujt e tjerë. Asokohe kishte edhe disidentë të tjerë politikë që kishin ikur në vendet evropiane, si Lenini, Trocki etj.
* * *
Disidenti rus, Slozjenitsyn shkruan për tragjedinë dhe fatkeqësinë e popullit rus. Gjatë një shekulli, Rusia ka pësuar dy herë aksidente historike dhe të dyja herëve ishte ndalur rrota e historisë. Hera e parë ishte kur u përgatit revolucioni për rrëzimin e Carit Romanov. Të gjithë disidentët, elita intelektuale që jetonin në Perëndim ishin kthyer në Rusi dhe të gjithë kishin ideale, aspirata iluministe nga tradita liberale. Siç dihet, Lenini, një partizan dehumanist dhe fetishit, kur erdhi në pushtet i eliminoi dhe i persekutoi gjithë liderët opozitarë, duke u bërë më i tmerrshëm se Cari i çmendur, Ivan.
Më tej, disidenti rus, Slozjenitsyn vë në dukje se pas Luftës së Parë Botërore, kishin lindur edhe dy ideologji: ajo komuniste dhe fashiste, që u shndërruan në dy mbretëri të krimeve monstruoze ndaj njerëzimit. Këta përbindësh tentonin ta fshijnë nga faqja e dheut demokracinë, liberalizmin, vlerat dhe virtytet njerëzore, që i kishin rrënjët nga Greqia e lashtë antike. Ky disident kishte krahasuar Leninin me Hitlerin. Winston Churchill në memoaret e veta shkruan se kur Vladimir Iliç Lenin kishte marrë pushtetin, kishte ndodhur i njëjti skenar si me Hitlerin. Mbretëria e Bashkuar, bashkë me aleatët treguan një pasivitet dhe neglizhencë, duke mos u ndihmuar forcave opozitare antikomuniste. Ai më tej shkruan se ishte një femër, e para në Evropë në fillim të shekullit 20, që i kishte bërë atentat Leninit. Sipas tij, në atë atentat Lenini ishte plagosur rëndë dhe pas dy vjetësh, si pasojë e plagëve kishte vdekur, por kjo temë kishte mbetur tabu. Churchill thotë në memoaret e veta se nuk i kujtohet emri i asaj femre të guximshme, të cilën e kishin persekutuar pa gjyq. Por kur e kishin pyetur se pse e kishte bërë atentatin, ajo kokëlartë kishte thënë se Linini kishte tradhtuar të gjitha idealet dhe ëndrrat e tyre.
* * *
Slozjenitsyn, i cili u nominua me çmimin Nobel në vitin 2005, në një intervistë dhënë gazetës The Guardian, i frustruar dhe i zhgënjyer shkruan për incidentin e dytë që ndodhi në Rusi. Ai shkruan se akoma nuk janë shkulur rrënjët e ideologjisë komuniste, të cilën e krahason me ideologjinë fashiste nacionalsocialiste, kurse pas vdekjes së Boris Jelcinit, atë e zëvendësoi Vladimir Putini. Sipas tij, ka ndodhur i njëjti skenar si me Leninin, Putin është indoktrinuar nga kuzhina sovjetike, aq më shumë se kishte bërë karrierë si agjent dhe me një tru të shpërlarë kundër parimeve europerëndimore, nuk mund të ishte një demokrat liberal proevropian. Putini është njeri i epokës së kaluar, një mbeturinë që do të hidhet në plehun e historisë.
Pas aneksimit të katër provincave, territore të Ukrainës, disa analistë në sloganet e tyre retorike thonë se Putin është i njëjtë si Hitleri. Kur Hitleri pushtoi Çekosllovakinë dhe Poloninë, arsyetoi pushtimin se në ato shtete heterogjene jetojnë edhe gjermanë. Hitleri tha se ndaj popullit gjerman është bërë një padrejtësi historike gjatë konferencës së Paqes së Versajës në Paris nga fuqitë e mëdha. Njëjtë edhe Putin kishte thënë se Ukraina është një gabim historik, se nuk ekziston kombi ukrainas dhe se Kievi është Jerusalemi i Rusisë. Sipas Putinit, Greqia duhet të hyjë në luftë dhe ta marrë Kostandinopojën (Stambollin), pasi është kryeqytet bizantin dhe se turqit duhet të kthehen në Azinë qendrore.
Në fund, nëse i merr këto provinca, Putini pretendon ta kthejë Rusinë cariste apo Rusinë e madhe. Pas debaklit, Putin po kanoset dhe mbjell frikë te njerëzimi me përdorimin e armëve bërthamore. Njëjtë si luani që egërsohet tepër kur është i plagosur, si gjithë despotët dhe diktatorët gjatë gjithë historisë, edhe ky do të pësojë një fund tragjik.